Telenews

Kurti fton kompanitë franceze të investojnë në Kosovë

Në kryeqytetin e Francës, është mbajtur sot Forumi i parë Ekonomik i Kosovës në Paris, me përfaqësues të qeverisë, agjencive zhvillimore dhe kompanive franceze, nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në adresimin e tij hyrës, kryeministri renditi arsyet, nënvizoi përparësitë dhe veçoi sektorët me më së shumti mundësi për investime të huaja.

Sipas komunikatës së Kryeministrisë, ai paraqiti para të pranishmëve potencialin dhe ofertën e Kosovës për investitorë të huaj në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit Digjital, Turizmit, Energjisë, Prodhimit të lehtë, dhe Agrikulturës.

Pozita gjeografike e vendit, rinia e arsimuar, e talentuar, kreative, që flet më shumë se një gjuhë të huaj, politikat fiskale dhe sistemi tatimor i leverdishëm, progresi demokratik në vitet e fundit, sundimi i ligjit, stabiliteti institucional dhe investimet në infrastrukturë, si dhe planet për mbi 50 projekte të infrastrukturës në transport, mjedis dhe energji, janë elementet kyçe që e bëjnë Kosovën tërheqëse për investitorë të huaj, veçoi Kurti, teksa u bëri ftesë të pranishmëve dhe kompanive franceze që të investojnë në Kosovë.

“Kjo është më shumë se një ftesë për të investuar në Kosovë. Është ftesë për të qenë pjesë e transformimit tonë dhe ftesë për të rritur e thelluar miqësinë tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë, një rajon më prosperues dhe një të ardhme për të cilën të gjithë mund të krenohemi”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në këtë forum mori pjesë edhe ministri i Francës për Evropë, Benjamin Haddad, me të cilin kryeministri Kurti kishte zhvilluar një takim gjatë ditës. Ai në fjalën e tij u shpreh se prania e kryeministrit në Paris sot “është sinjal i vullnetit të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Francës”.

“Ministri Haddad tha se ka shumë ndërmarrje franceze që janë të interesuara të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë. Ai shtoi se Franca e mbështetë perspektivën ekonomike të Kosovës”, shkruan në komunikatën e Kryeministrisë.

Pjesë e këtij forumin ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar, të cilët po ashtu u bënë ftesë bizneseve franceze që të vijnë në Kosovë.

Të ngajshme

Hoti: Kurti i mashtroi të rinjtë

Donat Hashani

Pse SHBA-ja po investon në FSK? Ambasadori Hill përgjigjet për median serbe

Donat Hashani

Dreshaj: Komisioni Hetimor ka gjetur lëshime në subvencionimin e teksteve

Donat Hashani