Telenews

Kurti ua “lëshoi” nga Zvicra Vitisë e Kamenicës mbi 1 milion euro për pagat

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e mbi 1 milion eurove për mbulimin e pagave për Komunën e Kamenicës edhe atë të Vitisë për muajin tetor, në mungesë të mjeteve për shkak të vendimeve përmbarimore si pasojë e kontratës kolektive. Nga Asociacioni i Komunave kanë paralajmëruar se me situatë të tillë do të përballen edhe komuna tjera, sidomos në dhjetor.

Kryeministri Albin Kurti nga Zvicra ka mbledhur dje kabinetin e tij një mbledhje në formë elektronike, për të ndarë mjete për mbulimin e pagave për Komunën e Kamenicës dhe Vitisë. Shuma e ndarë është mbi 1 milion euro.

“Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 1,128, 073 euro për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për komunat Kamenicë dhe Viti për muajin tetor 2024”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Nga kjo shumë, 359 mijë e 115 euro janë ndarë për Komunën e Kamenicës, e 768 mijë e 958 euro për atë të Vitisë.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë për Gazetën Express se për këtë vendim është njoftuar nga mediat.

Ai ka konfirmuar se tashmë janë ekzekutuar pagat, duke thënë se me mungesë të mjeteve po përballen shkaku i kontratës kolektive.

“Edhe unë u njoftova nga mediat. Janë ekezekutu pagat, tash ajo mungesa është nga kontrata kolektive, nga përmbarime. Jo veç në dy komuna, ky është problem në shumë komuna, jo Suhareka, Ferizaji, Fushë Kosova, Kaçaniku, Kamenica. Ne kemi minus në strukturën buxhetore për shkak se përmbaruesit na i kanë marrë mjetet edhe nga investimet kapitale, edhe nga shtesat e pagat edhe subvencionet. Ne kemi minusa”, ka deklaruar Haliti.

Haliti ka përsëritur kërkesën e komunave që Qeveria ta marrë përgjegjësinë për këtë çështje, e t’ua rimbursojë mjetet që u janë marrë nga përmbaruesit pas vendimeve gjyqësore.

“Nuk është përgjegjësi e komunave kontrata kolektive, Qeveria tash duhet me i rimbursu.  Kërkesë e krejt komunave, e Asociacionit të komunave është që me marr përgjegjësinë për kontratën kolektive dhe me i rimbursu mjetet që na i kanë marrë neve komunave”, ka thënë tutje Haliti.

Me situatë të ngjashme, Komuna e Vitisë është përballur edhe muajin e kaluar dhe për këtë ka ngritur zërin.

Punëtorët e arsimit në këtë komunë kishin mbetur pa paga për muajin shtator dhe për këtë arsye kishte pasur protestë para Qeverisë nga sindikatat atje dhe SBASHK-u.

Për dallim nga Vitia, Komuna e Kamenicës, që udhëhiqet nga Kadri Rahimaj i VV’së, nuk ka pasur ndonjë reagim për këtë çështje.

Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë paralajmëruar se situatë e tillë do të paraqitet edhe gjatë dy muajve të ardhshëm dhe në komuna të tjera.

Kryetari i AKK’së, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se më problematik do të jetë muaji dhjetor.

“Komunat kanë me pas shumë problem në nëntor e dhjetor për me i ekzekutu pagat, sidomos në dhjetor. Krejt kjo për shkak të kontratës kolektive. Asociacioni kërkon që Qeveria t’i ndihmojë komunat që mund të përballen me një situatë të tillë gjatë dy muajve të ardhshëm. Më të rrezikuara janë komunat e vogla dhe të mesme, por edhe tjerat”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se rasti i Vitisë dhe Kamenicës tregon se kur Qeveria ka vullnet, mund ta zgjidh problemin.

Ndryshe, në fillim të kësaj jave, pikërisht si pasojë e kontratës kolektive, Komunës së Suharekës iu bllokuan xhirollogaritë.

Krytari i Komunës, Bali Muharremaj, drejtoi akuza ndaj Qeverisë për këtë, por Ministri Hekuran Murati mohoi se bllokimi i xhirollogarive është bërë nga komunat.

Llogaritë u zhbllokuan të nesërmen.

Të ngajshme

Rezi-Mevlanit: Zgjohu t’ia bëjmë gati valixhen Bay T-së!

Erzana Fazliu

UEFA e dënon rëndë Serbinë për thirrjet anti-Kosovë

Erzana Fazliu

Debati Qeveri – LDK, Mehmetaj: Hekuran amateri, a po të ngon motra e këshilltares së Kurtit?

Erzana Fazliu