Akoma pa u bërë 24 orë nga komunikata e tyre shokuese lidhur me largimin nga të gjitha garat që organizohen nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Kosovës, klubi i Feronikelit ’74 ka njoftuar se janë tërhequr nga vendimi i tyre.
Presidenti i klubit, Erlind Krasniqi, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka deklaruar se Feronikeli ’74 do të mbetet në Superligë.
Ai ka thënë se janë tërhequr nga vendimi që kanë marrë dje.
Lidhur me vendimin e klubit është deklaruar edhe kapiteni i skuadrës, Lapidar Lladrovci.
Ai pret dhe shpreson se FFK-ja do të reflektojë pas këtij vendimi.
“Shpresojmë që FFK të reflektojë, sepse nuk po ndodh vetëm sivjet. Kemi qenë edhe vitin e kaluar një nga skuadrat më të dëmtuara në ligë”, ka thënë Lladrovci.
Feronikeli ’74 ishte tërhequr si pasojë e paknaqësive me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët e FFK-së. Si shkak kryesor i këtij vendimi ishte ndeshja e fundit ndaj Llapit, e cila u mbyll me barazim 2:2.
Përpos Feronikelit, kritika të mëdha me ndarjen e drejtësisë këtë sezon kanë pasur pothuajse të gjitha klubet.