Telenews

A do të ndodhë rundi i ri i dialogut më 17 dhjetor – çka tha Qeveria, Lajçaku dhe BE?

Takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të zhvillohet në dhjetor.

Kështu ka bërë të ditur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në Facebook, Lajçak ka dhënë detaje rreth takimeve dy javore në Gjenevë, Tiranë e Parisë ku ka diskutuar për dialogun dhe rrugën përpara.

“Dy javët e fundit kanë qenë sa produktive dhe të thellë, me vizita në Gjenevë, Tiranë dhe Paris. Me bashkëbiseduesit e mi në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Quai d’Orsay dhe gjetkë, u angazhova në diskutime të rëndësishme mbi Dialogun dhe rrugën përpara”, ka shkruar emisari evropian.

“Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të Kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, tha Lajçak.

Klisman Kadiut, këshilltar i zëvendeskryeministrit Besnik Bislimi, tha se takimi i radhës do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel.

Por, kjo nuk u konfirmua nga BE-ja.

“Do të njoftojmë çdo takim kurdo që duhet”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.

Ndryshe, nga viti 2011 kur kanë nisur, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar nën ndërmjetësimin e tre shefave të ndryshëm të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian – Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell.

Secili ka dhënë kontributin e vet, dhjetëra takime janë zhvilluar, e po aq marrëveshje janë arritur. Por, mbërritja te qëllimi përfundimtar mbetet ende larg.

Udhëheqësit politikë të negociatave, Albin Kurti i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, nuk janë takuar qysh më 14 shtator të vitit 2023.

Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë një polic. Ky përshkallëzim i situatës – më i rëndi ndër vite – i ka çuar pastaj marrëdhëniet mes dy vendeve në pikë kritike.

Shefi në largim i politikës së jashtme të BE-së, Borrell, ka bërë përpjekjen e fundit më 26 qershor, për t’i ulur bashkë Kurtin e Vuçiqin, por pa sukses.

“Ka qenë takimi i njëmbëdhjetë i liderëve që kam kryesuar unë. Pra, takim me liderët, jo mes tyre. Sepse, kësaj radhe, nuk ka pasur takim trepalësh”, ka thënë Borrell.

Drejtimin e politikës së jashtme të BE-së tani pritet ta marrë ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Ajo është shfaqur javën që shkoi në seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, ka folur për luftën në Ukrainë, për konfliktin në Lindjen e Mesme, për rrezikun nga Kina, për forcimin e mbrojtjes në Evropë e çështje të tjera, por, çuditërisht, fare pak për Ballkanin Perëndimor – rajonin ku BE-ja ka shumë ndikim dhe është e përfshirë direkt në disa procese, përfshirë ndërmjetësimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo nuk ka thënë asgjë konkrete për këtë dialog që do ta kryesojë vetë, vetëm është zotuar që zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet realitet.

“Unë mendoj se vërtet duhet të kemi një tregim suksesi në pesë vjetët e ardhshëm, sepse kjo nuk është vetëm për prosperitetin e rajonit, por edhe për t’i dhënë shpresë atij”, ka thënë Kallas.

Të ngajshme

Hapet muzeu i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Erzana Fazliu

Blero tregon se cila është banorja e preferuar e tij në “Big Brother”

Erzana Fazliu

Rasti i Xuxit me Kevinin, reagon nëna e këtij të fundit

Erzana Fazliu