Telenews

Dëmi i shkaktuar nga sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit shkon në rreth 400 mijë euro

Riparimi i dëmit që i është bërë kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në nëntor të këtij viti, do të kapë vlerën e rreth 400 mijë eurove, ka thënë të enjten kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka.

Ai ka thënë se riparimi i kanalit do të bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që e gjithë puna pritet të finalizohet deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka thënë se dëmi i synuar do të shkonte në deri 2.5 milionë euro, vetëm në import të energjisë elektrike.

“Mos të flasim për paralizimin e aktivitetit ekonomik, të ngrohjes për qytetarët, furnizimit me ujë, e shumë shërbimeve të tjera”, ka thënë Rizvanolli të enjten para mediave.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm që e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.

Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Të ngajshme

Kosova e nis 2025-ën me deficit të skajshëm tregtar me vendet fqinje

KushtrimGuraj

Nxënësit Ajana Pllana dhe Enes Mustafa nga shkolla Marif shkëlqejnë në Barcelonë

KushtrimGuraj

Arrestohet në flagrancë një zyrtar publik në Prishtinë për marrje ryshfeti

KushtrimGuraj