Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hudhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Reporteri.net.
Vendimi është marrë sot dhe në të thuhet se ankesa është e palejuar.
“Hudhet poshtë e palejuar ankesa Anr. 16./2025, e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ’së Nr.01/2328-2024, i datës 31.12.2024 dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim”, thuhet në vendim.
Kundër këtij vendimi, VV ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga pranimi i këtij vendimi.
Një nga arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja qeverisëse është fakti që Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.