Telenews

Shtyhet sërish seanca ndaj aktivistëve të LVV-së lidhur me protestën e vitit 2015, mungojnë tre të akuzuar

shtyhet-serish-seanca-ndaj-aktivisteve-te-lvv-se-lidhur-me-protesten-e-vitit-2015,-mungojne-tre-te-akuzuar

Për shkak të mungesës së të akuzuarve, Ylli Hoxha, Arbër Kaqorraj dhe Uran Hasani, është shtyrë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtit bashkë me Premton Iberdemaj dhe Armend Loshajn, si aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ngarkohen lidhur me veprimet në protestën e vitit 2015.

Në këtë rast, Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Urim Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se në tetor të vitit 2015, gjatë një proteste, u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Hoxha, mbrojtësi i tij avokati Blerim Metica tha se nuk ka mundur që të bie në kontakt me të mbrojturin e tij. Ndërsa për mungesën e të akuzuarit Uran Hasani, mbrojtësja e tij, avokatja Mejreme Halili tha se i njëjti e ka njoftuar se është duke ardhur në seancë.

Ndërkaq, i akuzuari Arbër Kaqorraj dhe mbrojtësi i tij Gazmend Lokaj, nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre edhe pse kanë qenë të informuar për seancën e sotme.

Gjykatësi Eroll Gashi tha se nëse në afat prej 5 ditësh tre të akuzuarit e lartcekur nuk dorëzojnë arsyetim për mosprezencën e tyre, ndaj tyre gjykata do të caktojë masë të paraburgimit.

Edhe seanca e fundit për këtë rast kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesë së të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Të ngajshme

“Mundësitë i krijojmë vetë” – Kandidati i PDK-së Shahin Dervishaj me mbështetje të gjerë në Kosovë

Donat Hashani

Kirurgu i njohur kosovar Arbër Tolaj kërkon votën tuaj për deputet

Donat Hashani

Mehmetaj për ”tre gishtat e VV-së”: Gishtat e Serbisë fusni aty ku s’thuhet

Erzana Fazliu