Ish-ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi se ka nënshkruar Udhëzimin e ri administrativ për arkat fiskale.
Përmes një postimi në Facebook, Murati thotë se ky UA “është hartuar nga grupi punues me profesionalizëm dhe vjen pas një pune enorme për zhvillimin e sistemit të ri softuerik i cili do të reformojë komplet sistemin e arkave fiskale, duke e bërë tranzicionin në sistem digjital”.
“Udhëzimi parasheh periudhën tranzitore të kalimit nga sistemi ekzistues në sistemin e ri – pra të gjitha bizneset që tashmë kanë sisteme të arkave fiskale, do të kenë kohë të mjaftueshme për të kaluar në sistemin e ri – për këtë do të njoftohen me kohë. Ndërsa për bizneset e reja apo që ende nuk kane sistem të fiskalizimit, do të ketë periudhë kalimtare prej 60 ditësh derisa të instalojnë sistemin e ri, por që duhet të sigurohen se ndjekin udhëzimet për deklarim të shitjeve ashtu siç e parasheh UA”, u shpreh Murati.
Ish-ministri i Financave, që dha sot dorëheqje para se të hynte në seancën konstituive të Kuvendit, shtoi se ky sistem parasheh që softueri i fiskalizimit të ofrohet nga ofruesit e licencuar.
Murati bën të ditur se Administrata Tatimore e Kosovës veçse ka mbajtur takime njoftuese me disa ofrues të softuerëve të tillë dhe se komunikimi me ta do të vazhdojë.