Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeterroristi Milan Radojiçiq dhe të akuzuarit e tjerë në arrati për sulmin terrorist në Banjskë, duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim dhe atë sa më parë, shkruan Reporteri.net.
Ajo ka thënë se gjykimi në mungesë mund të aplikohet edhe në rastin Banjska, por “që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë”.
Sipas saj, Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe.
“ Kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje. Çertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm. Saktësisht dy vite më parë, më 22 prill 2023, në paradën e Ushtrisë së Serbisë në Batajnicë, krahas Millan Radojiçiqit ishin të pranishëm edhe dy deputetët e Listës Serbe, Igor dhe Slavko Simiq, si dhe kryetarët Dalibor Jevtiq dhe Goran Rakiq. Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, që të akuzuarit për sulmin në Banjskë të gjykohen në mungesë.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se kërkesa e Prokurorisë Speciale për gjykim në mungesë, është e pabazuar dhe se nuk janë plotësuar kushtet për gjykim në mungesë.
“Kryetari i trupit gjykues, ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, thuhet në komunikatë.
Gjykata ka bërë të ditur se gjykimi për të njëjtit, do të vazhdojë pas arrestimit.
Megjithatë, Prokuroria ka të drejtën e ankesës.
“Gjykimi ndaj të pandehurve në fjalë, do të vazhdoj pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës. Palët e pakënaqura me këtë aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”, përfundon njoftimi.
Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë: Radoiçiqi dhe serbët e tjerë të akuzuar për sulmin në Banjskë, nuk gjykohen në mungesë
The post Haxhiu: Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe – ai dhe të tjerët të gjykohen në Kosovë me ose pa ekstradim sa më parë first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.