Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, krijimin dhe vazhdimin e bllokadës në Kuvendin e Kosovës. Sipas Demakut, kjo parti po vepron me një logjikë përjashtuese, duke refuzuar çdo kompromis politik në mungesë të shumicës parlamentare.
Sipas Demakut, është fare e qartë se shkaktari i vetëm i ngërçit është Vetëvendosja, përderisa vazhdon të qëndrojë në pozicionin: ‘ose ky, ose askush tjetër’.
“Po dua ta përsëris atë që e kanë thënë shumë të tjerë: Kur i ke numrat e mjaftueshëm, ti zgjedh ashtu si dëshiron; kur nuk i ke numrat e mjaftueshëm, ti s’mund të imponosh te të tjerët. Kur nuk i ke numrat e mjaftueshëm, patjetër duhet të bashkëpunosh me oponentët politikë për të ardhur deri te një zgjidhje dhe për t’u bërë konstituimi i Kuvendit. Në këtë rast, nuk ka gjë më të thjeshtë për t’u kuptuar se bllokuesi i vetëm është Vetëvendosja dhe askush tjetër. Pse? Bllokues je ti kur thua ‘ose ky, ose askush tjetër’. Nuk janë bllokues të tjerët kur thonë ‘nuk bën ky, por ka mundësi të tjera’.”– tha ai.