Një 21-vjeçar është arrestuar me dyshimin se i vuri zjarrin shtëpisë së kryeministrit britanik Keir Starmer në veri të Londrës.
Policia dyshon se zjarri është ndezur me “qëllim për të rrezikuar jetën”.
Policia Metropolitane ka konfirmuar se i dyshuari është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe ndodhet në mbajtje.
Bëhet e ditur se arrestimi lidhet me tre zjarre të veçanta që ndodhën në veri të Londrës gjatë javës së kaluar: një zjarr në një adresë private në Kentish Town, një automjet i djegur dhe një zjarr tjetër në hyrje të një ndërtese tjetër.
Policia tha se njësia kundër terrorizmit e Policisë Metropolitane kishte marrë përsipër hetimin sepse shtëpia ishte e lidhur me një personazh të shquar publik, shkruan skynews.
Ndërsa tani po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkakut të zjarrit.
“Të tre zjarret aktualisht po trajtohen si të dyshimta.”
Ndryshe, edhe pse Starmer është në Downing Street si kryeministër britanik, ai ende mban adresën e tij private në veri të Londrës.
Hyrja e shtëpisë është dëmtuar, por nuk ka të lënduar.
Një banor i rrugës tha se dëgjoi një zhurmë të fortë që dukej si koktej molotovi.