Telenews

Në Kosovë nis Java e Krenarisë me moton “Asnjë hap mbrapa”

ne-kosove-nis-java-e-krenarise-me-moton-“asnje-hap-mbrapa”

Në Kosovë ka nisur zyrtarisht edicioni i nëntë i Javës së Krenarisë, që sivjet ka moton “Asnjë hap mbrapa”.

Në ngjarjen për nisjen zyrtare të kësaj jave, përfaqësuesit e komunitetit LGBTIQ+ thanë se të drejtat e tyre shpesh janë vetëm në draft-ligje e plane qeveritare, teksa theksuan se pjesëtarët e këtij komuniteti vazhdojnë të përballen me diskriminim.

Blert Morina, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL), tha se do të dëshironte që në këtë ngjarje të përmendeshin disa suksese, sikurse ndërtimi i një strehimoreje për këtë komunitet, mundësia e martesave mes gjinisë së njëjtë, njohja ligjore e identitetit gjinor, ofrimi i trajtimeve shëndetësore për transgjinorët. Por, ai tha se asnjë nga këto nuk është arritur dhe Kosova ende nuk është afër që t’i realizojë.

“Strehimorja ka dështuar sepse shteti ka dështuar t’i mbrojë qytetarët e vet, sepse martesa mes personave të gjinisë së njëjtë ende është vetëm një kauzë e jona e drejtë, sepse identiteti i njohur ligjërisht është përjashtim e jo rregull, sepse shërbimet për persona transgjinorë janë të paqasshme. E gjuha e urrejtjes jo vetëm që nuk është zbehur, është bërë më institucionale, më e rafinuar, më e ligjshme”, tha Morina.

Sipas Morinës, identiteti gjinor dhe seksual në Kosovë janë ende arsye për të mos ndier siguri, për të mos pasur të ardhme, për të mos ekzistuar ligjërisht ky komunitet.

Kosova nuk i lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë. Çështja ishte paraparë të rregullohej me Projektkodin Civil, por ai nuk ka marrë mbështetjen e deputetëve të legjislaturës së kaluar. Ndërkaq, përbërja e re parlamentare, e dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ende nuk është konstituar.

Mospajtimet kanë të bëjnë me nenin e këtij Projektkodi që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” mes personave me gjini të njëjtë.

Si nga krerët e bashkësive fetare në Kosovë, Projektkodi Civil ishte kundërshtuar edhe nga disa deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët kishin argumentuar se ishin kundër legjislacionit, pasi dëshironin t’i mbronin “vlerat e familjes”.

Gjatë hapjes zyrtare të Javës së Krenarisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se disa pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+ kanë pasur përvoja të këqija në Kosovë, sikurse edhe në vende të tjera të botës.

“Ndjenjat e turpit dhe të veturrejtjes, mospranimi nga familja dhe diskriminimi në shoqëri janë dukuri të cilat të gjithë ne që besojmë fort në liri dhe barazi duhet t’i luftojmë së bashku, të zotohemi se do të vazhdojmë përpara pa asnjë hap mbrapa. Në këtë drejtim, institucionet shtetërore janë në krye të detyrës, qeveria jonë po punon vazhdimisht për zhvillimin e politikave adekuate për një shoqëri gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Kurti.

Ai tha se ngjarjet sikurse Java e Krenarisë janë të rëndësishme në betejën për liri dhe të drejta të barabarta, pavarësisht orientimit apo identitetit seksual.

Kurti tha se Zyra e Kryeministrit është duke përgatitur një plan 2025-2027 për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+, i cili, sipas tij, do të miratohet nga ekzekutivi gjatë këtij viti.

“Ky plan veprimi synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për parandalimin e diskriminimit, si dhe të ndërmarrë veprime konkrete nga institucionet në fushat e arsimit, shëndetësisë si dhe të sigurisë, mes tjerash”, tha ai.

Bashkimi Evropian tha se Kosova po bën hapa në drejtimin e duhur sa i përket mbrojtjes, përfshirjes dhe mosdiskriminimit të komunitetit LGBTIQ+. Në këtë drejtim, ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, përmendi faktin që Parada e Krenarisë është mbajtur çdo vit në Kosovë, pa asnjë incident.

Ai tha se Java e Krenarisë është javë e festës, reflektimit, dukshmërisë dhe përkushtimit ndaj identitetit dhe barazisë njerëzore.

“Kohët në mbarë botën janë shumë të vështira. Ka shumë pasiguri. Por, në emër të Bashkimit Evropian, mund të konfirmoj se jemi të përkushtuar fort ndaj të drejtave të personave LGBTIQ+. Këto nuk janë të drejta të veçanta, këto janë të drejta të njeriut”, tha Orav.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Orav, po ashtu përmendi konfirmimin e një aktakuze për krim të urrejtjes, rrëmbim, lëndim fizik dhe kërcënim ndaj privatësisë personale të një personi të komunitetit LGBTIQ+.

“Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë”, tha ai.

Në këtë ngjarje të mbajtur në Prishtinë, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha se komuniteti LGBTIQ+ përballet me sfida në mbarë botën, duke theksuar se vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të disponueshme në internet, më shumë se 350 persona të këtij komuniteti janë vrarë në mbarë botën./REL

The post Në Kosovë nis Java e Krenarisë me moton “Asnjë hap mbrapa” first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.

Të ngajshme

Ramiz Lladrovci merr mbështetjen e Degës së PDK-së në Drenas për kandidaturën në zgjedhjet lokale

KushtrimGuraj

Serbia ia cakton një muaj paraburgim ish- policit Arbnor Spahiu që e arrestoi në kufi

KushtrimGuraj

Ngërçi politik, Presidentja nuk tregon pse nuk po i vazhdon takimet 

KushtrimGuraj