Telenews

Rreziku në gotë: Tri pije të përditshme që dëmtojnë arteriet

Kur mendojmë për shëndetin, ushqimi na vjen i pari në mendje. Por shpesh harrojmë një faktor po aq të rëndësishëm: pijet që konsumojmë çdo ditë

Disa pije nuk janë vetëm të padobishme, por mund të jenë edhe të rrezikshme për shëndetin e zemrës. Ekspertët paralajmërojnë se përveç ushqimeve, duhet të jemi po aq të kujdesshëm edhe me atë që pimë, në veçanti kur bëhet fjalë për shëndetin kardiovaskular.

1. Smoothiet e gatshme me përmbajtje të lartë sheqeri

Smoothiet e frutave mund të tingëllojnë si një zgjedhje e shëndetshme, por versionet komerciale shpesh përmbajnë sasi të mëdha sheqeri të shtuar.

“Sasia e lartë e sheqerit në disa smoothie mund të nxisë inflamacionin, rezistencën ndaj insulinës dhe të dëmtojë arteriet,” shpjegon nutricionistja Katherine Gervasio për SheFinds.

Përveç kësaj, shumë prej tyre përmbajnë deri në 390 kalori për një porcion, duke kontribuar në shtim në peshë dhe rrezik të sëmundjeve kronike. Zgjidhja? Përgatisni smoothie vetë në shtëpi me fruta të freskëta, perime dhe produkte qumështi pa sheqer të shtuar.

2. Pijet energjike

Një shpërthim energjie mund të duket joshës, por pijet energjike janë shpesh një përzierje e rrezikshme e sheqerit dhe kafeinës.

“Këto pije mund të rrisin presionin e gjakut dhe të ndikojnë negativisht në elasticitetin e arterieve,” thekson Gervasio.

Kafeina stimulon adrenalinën dhe rrit përkohësisht presionin, ndërsa sheqeri i tepërt ndërhyn në balancën e yndyrnave në gjak. Në vend të tyre, preferoni çaj jeshil ose kafe të zezë, natyrisht, në sasi të moderuara.

3. Alkooli

“Alkooli është toksik për çdo qelizë në trupin tonë,” thekson kirurgu kardiak Dr. Jeremy London.

Edhe konsumimi i moderuar i tij mund të rrisë rrezikun e aritmisë, hipertensionit dhe problemeve të tjera kardiake. Sipas Dr. Olalekan Otulana, alkooli jo vetëm që rrit presionin e gjakut, por nxit inflamacion dhe çrregullon ekuilibrin e kolesterolit — duke dëmtuar arteriet në mënyrë të vazhdueshme.

Rekomandimi i ekspertëve është i qartë: kufizoni ose hiqni dorë nga alkooli për të ruajtur zemrën tuaj të shëndetshme.

Të ngajshme

Kajsitë, fruti i verës që pastron gjakun dhe mëlçinë

KushtrimGuraj

Lindur në dimër apo verë? Si ndikon temperatura në ndërtimin e trupit

KushtrimGuraj

Gjashtë këshilla kryesore për të mbrojtur lëkurën tuaj nga dielli gjatë verës

Valjeta Turkaj