Telenews

Prindërit në Suedi dënohen me burg për mungesë kujdesi dentar ndaj fëmijëve

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur opinionin publik në Suedi, pasi një çift prindërish është dënuar me 8 muaj burg për shkak të neglizhencës në kujdesin dentar të fëmijëve të tyre, një rast që konsiderohet i pari i këtij lloji në vend.

Rasti u bë publik nga e përditshmja suedeze Aftonbladet, që raportoi se hetimi filloi pas një vizite rutinë te dentisti, ku u zbulua se të gjithë fëmijët e familjes kishin prishje të dhëmbëve në shkallë të rëndë. Dëmtimet e shkaktuara ishin aq të rënda sa që dentistët u detyruan të heqin disa dhëmbë për të parandaluar komplikime më të mëdha shëndetësore.

Pavarësisht se prindërit mohuan kategorikisht çdo lloj neglizhence dhe pohuan se kishin marrë masat e duhura për të kujdesur për fëmijët, gjykata vlerësoi se ata kishin dështuar të përmbushnin përgjegjësitë prindërore dhe i shpalli fajtorë për neglizhencë penale ndaj fëmijëve.

Në Suedi, ligji kërkon që prindërit të sigurojnë jo vetëm edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre, por edhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor, përfshirë atë dentar.

Lënia pas dore e këtyre detyrimeve, siç ndodhi në këtë rast, është parë si një formë neglizhence që dëmton seriozisht shëndetin e të miturve dhe shpesh trajtohet me të njëjtin rigorozitet si abuzimi fizik ose emocional.

Vendimi i gjykatës ka shkaktuar një valë reagimesh në opinionin publik. Disa e kanë cilësuar dënimin të tepërt, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e kujdesit ndaj fëmijëve, duke theksuar nevojën për përgjegjshmëri më të madhe prindërore.

Të ngajshme

Njerëzit me këtë problem shëndetësor nuk duhet të konsumojnë shalqi

KushtrimGuraj

Dietat përkeqësojnë depresionin

KushtrimGuraj

Si t’i përballoni temperaturat e larta?

Valjeta Turkaj