Telenews

Presidenti Begaj: Sanksionet ndaj Kosovës janë të padrejta

Në përfundim të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj bëri të qartë qëndrimin e tij në lidhje me deklaratën e përbashkët të miratuar.

Gjatë një deklarate për mediat, ai konfirmoi se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan ta nënshkruajnë dokumentin, ndërsa të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse e mbështetën atë.

Ai gjithashtu tha se sanksionet e vendosura ndaj Kosovës janë të padrejta.

“Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese nëpërmjet dialogut do të sjellë zhvillim, do të sjellë prosperitet, do të sjellë stabilitet dhe paqe për të gjithë rajonin tonë. Në fakt, ne sot patëm një qëndrim, ishte deklaratë e Tiranës. Patjetër që u votua nga shumica e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. U refuzua nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilët kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët. Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, është një çështje e padrejtë, një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë, dhe nesër është shumë vonë, sepse sanksionet nuk janë vendosur për politikanët kosovarë, sanksionet janë vendosur për qytetarët e Kosovës, për të pasur shërbime të mira publike.

Është një deklaratë shtesë, që është e shënuar në protokoll, që bëhet bazuar në të gjitha ligjet ndërkombëtare, e bërë nga Prishtina. Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështje të lidhura me sigurinë, por unë mendoj se siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë, siguria është një term dhe definicion më i përhapur, më i gjerë, dhe çfarëdo ndodh sot në botë është një rrezik për stabilitetin jo vetëm atje ku ndodh, por për të gjitha vendet e botës. Ne e kemi kuptuar shumë mirë se çfarë ndodhi me agresionin e pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, që solli, mbi të gjitha, probleme jo vetëm për vendet e përfshira në konflikt, por po ashtu edhe për vende të tjera në prishjen e zinxhirit të furnizimeve”, tha Begaj.

Të ngajshme

Ndikimi i konfliktit Iran-Izrael, rriten çmimet e naftës dhe benzinës

Donat Hashani

Ushtarët italianë patrullojnë përgjatë kufirit Kosovë – Serbi

Donat Hashani

Koci për ish-policin Spahiu të arrestuar në Serbi: Edhe nëse s’ka drejtësi, unë do ta kthej në Kosovë (VIDEO)

Donat Hashani