Telenews

Luftëtari më i mirë në histori të MMA-së, Jon Jones i ka dhënë fund karrierës së tij

Luftëtari legjendar i MMA-së, Jon Jones (37), i ka dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme, gjatë së cilës u shpall kampion në dy kategoritë më të rënda të UFC-së. Shumë ekspertë e konsiderojnë atë si luftëtarin më të madh në historinë e këtij sporti.

Lajmin e tërheqjes e konfirmoi presidenti i UFC-së, Dana White, gjatë një konference për shtyp në një aktivitet në Baku. Ai njoftoi se Jones nuk është më pjesë e botës së arteve marciale mikse.

Tifozët prisnin me padurim të shihnin nëse do të zhvillohej një duel mes Jones dhe Tom Aspinall, mbajtësit të përkohshëm të titullit në peshat e rënda, por White bëri të ditur se kjo ndeshje nuk do të ndodhë.

“Jon Jones na telefonoi mbrëmë dhe na njoftoi se është pensionuar. Ai është zyrtarisht në pension dhe Tom Aspinall është tani kampioni i peshave të rënda në UFC,” deklaroi White.

Pas konferencës, edhe vetë Jones konfirmoi tërheqjen. “Zyrtarisht po tërhiqem. E kam menduar këtë vendim për një kohë të gjatë. Që nga dita e parë në tetëkëndësh, synimi im ishte të shtyja kufijtë e këtij sporti. Falënderoj të gjithë, veçanërisht kundërshtarët e mi që më nxorën më të mirën,” tha ai.

Jones mbylli karrierën me 30 ndeshje profesionale: 28 fitore, një humbje me skualifikim kundër Matt Hamill dhe një duel pa rezultat zyrtar për shkak të dopingut ndaj Daniel Cormier.

Rekordi i tij si kampioni më i ri në histori të UFC-së, në moshën 23 vjeç, mbetet i pathyer.

Gjatë karrierës ai realizoi 12 mbrojtje të titullit, zhvilloi 17 ndeshje për titull dhe fitoi 16 prej tyre. Ka mposhtur tetë ish-kampionë dhe një kampion të përkohshëm, ndërsa në vitin 2021 u fut në Sallën e Famës së UFC-së.

Të ngajshme

Me një lojtarë më pak afro gjithë ndeshjes, Reali merr fitoren e parë në Botërorin e klubeve

KushtrimGuraj

Klubet e Kosovës: Kosovarët optimist për dalje në Evropë

Valjeta Turkaj

Debutoi me Kosovën në qershor, Florian Haxha drejt klubit elitar polak

Valjeta Turkaj