Telenews

Dënohet me 1 vit e 5 muaj burg sulmuesi i kameramanit Jemtir Muji – AGK mirëpret vendimin

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka shpallur fajtor I.M., shtetas i Republikës së Kosovës, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, lidhur me sulmin ndaj kameramanit të portalit Insajderi, Jetmir Muji.

Ngjarja kishte ndodhur më 17 nëntor 2022 në Mitrovicën e Veriut, kur Muji, së bashku me kolegun Visar Duriqi, po realizonte një intervistë pranë urës së Ibrit.

Sipas aktakuzës, gjatë xhirimit të një ngjarjeje me karakter urgjent pranë një ambulanteje, Muji ishte sulmuar nga I.M. dhe persona të tjerë të paidentifikuar, duke u goditur nga mbrapa në kokë. I pandehuri gjithashtu kishte tentuar t’i merrte telefonin, por pa sukses.

Pas shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 19 qershor dhe në mungesë të palëve më 23 qershor 2025, Gjykata e shpalli të pandehurin fajtor dhe i shqiptoi dënim me burg prej 1 viti e 5 muajsh, i cili do të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas ekspertizës mjekoligjore, viktima kishte pësuar lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.
Vendimi është i ankimueshëm në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditësh.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit, duke mirëpritur dënimin e sulmuesit të Jetmir Mujit.

“AGK-ja e mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut për të dënuar sulmuesin e Jetmir Mujit, kameraman në portalin Insajderi. AGK-ja mbetet e përkushtuar që të gjitha sulmet ndaj gazetarëve të marrin epilog”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

AGK e konsideron këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë për gazetarët dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes në vend.

Të ngajshme

Parashikimi i motit për sot

Erzana Fazliu

OKB: Tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbeten të larta

KushtrimGuraj

BBC publikon pamje nga mbrojtja ajrore mbi Katar gjatë sulmit të Iranit ndaj bazës amerikane

Donat Hashani