Industria globale e telefonave inteligjentë ka hyrë në vitin 2025 me një fillim jo fort premtues. Sipas raportit më të fundit të kompanisë analitike TrendForce, në tremujorin e parë të këtij viti janë prodhuar gjithsej 289 milionë pajisje – shifër që përfaqëson një rënie prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në këtë stanjacion të përgjithshëm, Samsung ka dalë si përjashtim i fortë, duke e konfirmuar edhe një herë dominimin e saj në tregun botëror të teknologjisë.
Gjiganti i Koresë së Jugut ka prodhuar 64 milionë pajisje vetëm në tre muajt e parë të vitit, duke e siguruar vendin e parë në rang global dhe një rritje prej 21% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024.
Pjesa e Samsung në treg aktualisht është 22%, dhe kjo, sipas ekspertëve, lidhet ngushtë me strategjinë agresive të dërgesave për tregun amerikan, si dhe përgatitjet për lansimin e modeleve të reja premium që pritet të prezantohen së shpejti.
Nga ana tjetër, Apple ka zbritur në vendin e dytë, me 17% të tregut, duke shënuar një rënie deri në 40% në prodhim. Kjo rënie vjen si pasojë e ndërprerjes së prodhimit për disa modele të vjetra dhe rënies së mbështetjes shtetërore në Kinë, ku më parë kompania kishte përfituar nga subvencionet qeveritare.
Në vendin e tretë është pozicionuar Xiaomi, e cila përfshin markat Redmi dhe Poco, me 14% pjesëmarrje në treg. Edhe pse kjo kompani ka regjistruar një rënie të lehtë prej 7% në prodhim, ajo ka arritur të ruajë stabilitetin, kryesisht përmes mbështetjes në tregun vendas dhe integrimit të suksesshëm të pajisjeve brenda ekosistemit të saj teknologjik.
Tremujori i parë i vitit 2025 paraqet një pamje të përzier për industrinë: ndërsa shumë prodhues po përballen me sfida, Samsung po ngjit majat, ndërsa Apple dhe shumica e markave kineze po kërkojnë mënyra të reja për t’u përshtatur me realitetin e ri të tregut.