Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka lëshuar një njoftim për qytetarët, duke paralajmëruar për rritje ekstreme të temperaturave gjatë muajit korrik, ku pritet që termometri të kalojë 37°C.
Në njoftimin e saj, kjo drejtori ka bërë apel për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të ditës kur rrezatimi është më i lartë.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sipas parashikimeve meteorologjike, muaji Korrik pritet të shënojë temperatura shumë të larta, që mund të kalojnë 37°C.
Në kushte të tilla, ju bëjmë thirrje të tregoni kujdes të shtuar për shëndetin tuaj dhe të të afërmve:
Shmangni daljet e panevojshme gjatë orëve të pikut (nga ora 11:00 deri në 17:00);
Qëndroni në ambiente të freskëta dhe të ajrosura;
Konsumoni sa më shumë lëngje dhe shmangni pijet alkoolike apo të gazuara;
Veshuni lehtë dhe përdorni pajisje mbrojtëse nga dielli (kapelë, syze, krem mbrojtës);
Kujdesuni në veçanti për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
Në raste emergjente shëndetësore, telefononi 194 ose drejtohuni menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.
Shëndeti juaj është prioritet. Tregoni kujdes dhe veproni me përgjegjësi.