Telenews

Kurti: Gjenocidi në Srebrenicë, paralajmërim i fushatës gjenocidale që do të ndodhte edhe në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, ku bashkë me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, ka nderuar viktimat e masakrës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Kurti ka shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin me familjarët e viktimave, duke theksuar se, megjithë dhimbjen, ata nuk janë ligështuar dhe nuk janë thyer.

“Pikëllimi nuk i ka thyer dhe as dhimbja nuk i ka ligështuar, ndonëse vuajtja e familjarëve vazhdon sikurse edhe mohimi i gjenocidit që ua mori më të dashurit,” shkroi Kurti.

Ai ka rikujtuar se gjatë kësaj masakre të kryer nga forcat serbe të komanduara nga krimineli i luftës Ratko Mlladiq, janë vrarë mizorisht 8,372 burra dhe djem boshnjakë.

Postimi i plotë:

Pikëllimi nuk i ka thyer dhe as dhimbja nuk i ka ligështuar, ndonëse vuajtja e familjarëve vazhdon sikurse edhe mohimi i gjenocidit që ua mori më të dashurit.

Me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi ishim në Srebrenicë sot për të shprehur nderimin, ngushëllimin dhe solidaritetin tonë në 30-vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

8,372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht nga forcat ushtarake të komanduara nga krimineli i luftës Ratko Mlladiq. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë ishte Beogradi zyrtar ai që dërgoi rreth 4 mijë oficerë ushtrie, armatime të shumta e municione pa fund, për shfarosjen e popullsisë vendëse boshnjake.

Në ekzekutimet në masakrën e Srebrenicës mori pjesë edhe njësiti famëkeq “Shkorpionët” të cilët pas Bosnjës do të vinin në Kosovë për të kryer krimet e njëjta, në mesin e të cilave edhe pushkatimin mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28 mars 1999.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2021 pat miratuar një rezolutë që dënonte ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë dhe u bënte thirrje të gjitha shteteve për përpjekje shtesë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin e kryerjen e gjenocidit. Ndërkaq, para një viti si qeveri morëm vendim për ta shpallur 11 korrikun Ditë Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Paqja dhe pajtimi në Ballkanin perëndimor, pa drejtësi që ndëshkon kriminelët dhe rehabiliton viktimat, ngelen veçse armëpushim e mashtrim.

Të ngajshme

Ndotja e ajrit rrit rrezikun e tumoreve jo kancerogjene të trurit, zbulon studimi

Erzana Fazliu

Shtabet e Forcave të Kosovës dhe Shqipërisë takohen për të hartuar plan bashkëpunimi për periudhën 2025 -2028

KushtrimGuraj

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan nesër vjen në Kosovë

KushtrimGuraj