Telenews

Britania dhe OpenAI lidhin një partneritet strategjik për sigurinë dhe zhvillimin e AI-së

britania-dhe-openai-lidhin-nje-partneritet-strategjik-per-sigurine-dhe-zhvillimin-e-ai-se

Britania dhe OpenAI lidhin një partneritet strategjik për sigurinë dhe zhvillimin e AI-së

Britania dhe OpenAI, kompania krijuese e ChatGPT, kanë nënshkruar një partneritet të ri strategjik për të thelluar bashkëpunimin në kërkimet mbi sigurinë e inteligjencës artificiale dhe për të eksploruar investime në infrastrukturën britanike të AI-së, përfshirë qendrat e të dhënave, bëri të ditur qeveria të hënën.

“AI do të jetë thelbësore për ndryshimet që duam të shohim në të gjithë vendin – qoftë në përmirësimin e sistemit shëndetësor (NHS), krijimin e më shumë mundësive apo nxitjen e rritjes ekonomike”, ka thënë në një deklaratë Peter Kyle, Sekretar i Shtetit për Teknologjinë.

“Kjo nuk mund të arrihet pa kompani si OpenAI, të cilat po e udhëheqin këtë revolucion në nivel ndërkombëtar. Ky partneritet do të mundësojë që më shumë nga puna e tyre të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar”.Qeveria britanike ka shpallur një plan për të investuar 1 miliard funte në infrastrukturën kompjuterike për zhvillimin e AI-së, me synimin për të rritur kapacitetin publik të përpunimit të të dhënave 20 herë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India po shfaqen si udhëheqëse në garën për zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke ushtruar presion ndaj Evropës për të mbajtur ritmin.

Partneriteti me OpenAI – kompania që ka bashkëpunuar me Microsoft, marrëdhënie që dikur u vu nën vëzhgim nga autoriteti britanik i konkurrencës – do të përfshijë zgjerimin e mundshëm të zyrës së saj në Londër dhe shqyrtimin e përdorimit të AI-së në fusha si drejtësia, mbrojtja, siguria dhe arsimi.

Në të njëjtën deklaratë, drejtuesi i OpenAI, Sam Altman, vlerësoi qeverinë britanike për faktin se ishte e para që njohu potencialin e teknologjisë përmes “Planit të Veprimit për Mundësitë e AI-së” – një iniciativë e Kryeministrit Keir Starmer për ta shndërruar Britaninë në një superfuqi të inteligjencës artificiale.

Qeveria laburiste, e cila ka hasur vështirësi për të nxitur një rritje të qëndrueshme ekonomike në vitin e saj të parë në pushtet dhe që aktualisht qëndron pas në sondazhe, ka deklaruar se teknologjia mund të rrisë produktivitetin me 1.5% në vit – një vlerë që përkthehet në 47 miliardë paund shtesë çdo vit gjatë një dekade.

Të ngajshme

Facebook fshiu 10 milionë llogari, dhe ky është vetëm fillimi

KushtrimGuraj

Serverët e Microsoftit janë hakuar nga grupe kineze, thotë firma amerikane

Valjeta Turkaj

eSIM mund të mos jetë aq e sigurt sa mendoni

Valjeta Turkaj