Legjenda e rock-ut, Ozzy Osbourne, u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, duke lënë pas jo vetëm një trashëgimi muzikore të jashtëzakonshme, por edhe një histori dashurie po aq të fuqishme.
Bashkëshortja e tij prej dekadash, Sharon Osbourne, ishte pranë tij deri në fund, duke bërë gjithçka të mundur që ai ta përfundonte jetën në skenë, aty ku e nisi dhe e deshi më shumë.
Vetëm disa javë para vdekjes, Ozzy u ngjit për herë të fundit në skenë në qytetin e tij të lindjes, Birmingham, për koncertin e lamtumirës “Back to the Beginning”. Ishte një moment i ngarkuar emocionalisht, ku më shumë se 42,000 fansa u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit ikonës së Black Sabbath, shkruan DailyMail.
Por, ky koncert nuk ishte i lehtë për t’u realizuar. Me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore dhe sëmundjen e Parkinsonit, kompanitë e sigurimeve refuzuan ta mbulonin nëse ai qëndronte në këmbë gjatë performancës.
Ishte Sharon ajo që luftoi pas skenave, duke negociuar me siguruesit dhe duke gjetur një zgjidhje: Ozzy do të performonte i ulur në një fron, një skenë simbolike që i lejoi të përshëndeste fansat e tij të përjetshëm me dinjitet dhe forcë. Ai këndoi pesë këngë solo dhe katër klasike të Black Sabbath, në një paraqitje të fundit që mbeti e paharrueshme.
Fjalët e fundit të Ozzy-t në skenë ishin një falënderim nga zemra për publikun: “Mbështetja juaj na ka mundësuar të jetojmë një mënyrë jetese të mrekullueshme, ju falënderojmë nga thellësia e zemrave tona”. Pas tyre, në ekran u shfaq mesazhi: “Faleminderit për gjithçka. Birmingham përgjithmonë”.
Të nesërmen, një ambulancë ajrore zbriti në rezidencën e tij në Buckinghamshire, por përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të pafrytshme. Sharon, gjithmonë pranë, qëndroi me të deri në frymën e fundit.
Ozzy la pas një jetë plot kontraste, nga dritat e skenës, tek lufta me varësinë, dhe më në fund, një ringjallje artistike nën përkujdesjen e Sharon. Ai ishte më shumë sesa “Princi i Errësirës”, ishte një ikonë, një bashkëshort, një baba dhe një rebel që nuk hoqi dorë kurrë nga dashuria për muzikën… dhe për Sharon.