Trupi i mërgimtarit 33 vjeçar ende s’është gjetur, Policia apel qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura e Ujmanit
Operacioni i kërkimit për trupin e mërgimtarit 33-vjeçar i cili dyshohet se u hodh nga ura e Ujmanit, po vazhdon ende, pasi deri në këto momente nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Lidhur me këtë rast ka folur zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i cili u bëri apel qytetarëve të mos kërcejnë nga kjo urë.
“Qytetarët dhe mërgimtarët të cilët vijnë këtu mos ta shohin këtë urë si distancë të vogël, lartësi të vogël që mos me u hudh nga ky vend. Nga ky vend janë hudhur profesionistët e ata i kanë parë në televizion, e për këtë arsye e marrin guximin mos u hudh. Duhet me pasë kujdes sepse tash na ka mbetur të shpresojmë me e gjetë vetëm trupin. Jemi afër familjes, po mundohemi të mos spekulojmë shumë, po mundohemi të mos flasim shumë për arsye se dhimbja është e madhe për familjarët. Shpresojmë që kanë me pasë sukses institucionet që janë këtu”, deklaroi Elshani para mediave.
Tutje, Elshani foli edhe për mungesën e sinjalistikës në atë zonë.
“Do të bisedojmë me Ibër Lepencit, për të parë nëse është kompetencë e tyre apo e Komunës vendosja e sinjalistikës. Besoj se Ibër Lepenci do ta kryejë këtë punë. Sinalistika mund të jetë aty, por nëse qytetarët vendosen të hidhen aty, ata do të hidhen. Pra, duhet të ekzistojë një vetëdijësim”, shtoi ai para mediave.
Policia ka njoftuar për rastin edhe në raportin 24 orësh.
“VDEKJE E DYSHIMTË- Zubin Potok 27.07.2025-14:25. Raportohet se viktima mashkull ishte futur në liqenin e Ujmanit, mirëpo nuk ka dal më në sipërfaqe. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore, njësia për kërkim dhe shpëtim, njësia e zhytësve dhe ekipi nga emergjenca, ku po vazhdojnë kërkimet për viktimën.”
Shefi i operativës rajonale në Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza ka thënë gjatë së dielës se viktima është hedhur për t’u larë, por nuk ka dalë më nga uji.
“E saktë është që një person ka kërcy nga ura dhe nuk ka dal nga uji. Në vend të ngjarjes janë njësitet policore dhe emergjeca,janë thirrë njësia e zhytsave”, kishte deklaruar ai.