Telenews

Bizneset pa kontrata rrezikojnë shkyçjen nga rryma më 31 korrik

Disa i kanë nënshkruar kontratat për furnizim me energji elektrike, disa ende refuzojnë, e ka edhe raste kur një kompani është ndarë në dy entitete të reja për të shmangur daljen në tregun e hapur.

Më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

Paralajmërimi ka ardhur nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila thekson se afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.

Aktualisht, kompanitë e mëdha private po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).

Ky furnizim është i përkohshëm, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe ofrohet me çmime më të larta sesa ato të tregut mesatar.

Pas skadimit të këtij afati, ky furnizues nuk ka më të drejtë ligjore të ofrojë energji për këto kompani.

“Kjo kërkesë rrjedh nga ligji, dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka të pamundur të zgjasë apo ndryshojë këtë afat. Rrjedhimisht, më 31 korrik, të gjithë konsumatorët që nuk kanë furnizues do të shkyçen nga rrjeti energjetik”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga ZRRE-ja.

Periudha 60-ditore e mbështetjes nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ka nisur më 1 qershor, kur ka hyrë në fuqi vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, duke zgjedhur vetë një furnizues të licencuar. Kjo do të thotë se ato do të kalojnë në furnizim me çmime, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Deri më tani, më shumë se 1.300 kompani me mbi 9.367 njësi matëse elektrike janë përfshirë në tregun e hapur.

Një kompani mund të ketë më shumë se një njësi matëse elektrike.

Nuk dihet numri i saktë i kompanive që kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar komercialë, por në ZRRE thonë se janë 2.198 njësi matëse të tilla.

Kurse 7.169 pika matëse furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, që nënkupton se deri të enjten duhet ta zgjedhin furnizuesin e licencuar.

Të ngajshme

Angazhimi i Policisë për ta siguruar QKUK-në kushtoi 31,680 euro

KushtrimGuraj

Tjetër vdekje në vendin e punës në Kosovë, në Prizren ndalohen nga policia dy persona

Donat Hashani

Ramiz Lladrovi formon subjektin e ri politik – PDKRLI

Donat Hashani