Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar sot letrën e falënderimit që e kishte marrë dy ditë më parë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump.
Në postimin e saj në Facebook, Osmani ka shprehur mirënjohje për këtë gjest dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënies së ngushtë mes dy vendeve.
“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me SHBA-në, në çdo sfidë e çdo sukses. Mbetem e përkushtuar që të punojmë së bashku me presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë”, shkroi Osmani, duke bashkëngjitur edhe fotografinë e letrës.
Në letrën e tij, Trump e falënderon Kosovën për gatishmërinë për të pranuar 50 emigrantë nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë si dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ndihmën tuaj të jashtëzakonshme në pranimin e qytetarëve jashtë vendit tuaj – një veprim që dëshmon përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Udhëheqja juaj në këtë çështje është dëshmi e forcës dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës”, thuhet në letrën e Trumpit.
Letra e plotë e Trumpit:
E nderuar Zonja Presidente,
Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ndihmën tuaj të jashtëzakonshme në pranimin e qytetarëve jashtë vendit tuaj – një veprim që dëshmon përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Udhëheqja juaj në këtë çështje është dëshmi e forcës dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë të ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, vlerat demokratike të përbashkëta dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe të begatë. Përkushtimi juaj për forcimin e këtij partneriteti nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllime të përbashkëta.
Ju falënderoj sërish për udhëheqjen tuaj të guximshme dhe për qëndrimin tuaj si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara.
Me padurim pres të punoj ngushtë me ju në vitet që vijnë.
Zonja e Parë i bashkohet urimeve më të mira nga ana jonë.