Telenews

Tregu i lirë energjetik po konsiderohet goditje nën brez për prodhuesit vendorë dhe bizneset

tregu-i-lire-energjetik-po-konsiderohet-goditje-nen-brez-per-prodhuesit-vendore-dhe-bizneset

Tregu i lirë energjetik po konsiderohet goditje nën brez për prodhuesit vendorë dhe bizneset

Çmimi së paku dyfish më i lartë i energjisë elektrike për prodhuesit vendor që kalojnë në tregun e lirë, pritet t’i ngre çmimet e produkteve, duke u bërë ata jo-konkurrentë me produktet që importohen në Kosovë, por jo-konkurrent edhe në Evropë. Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit duket që ka marrë “zemër” nga vendimi i fundit i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.

ZRRE paralajmëroi konsumatorët komercialë, të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të ndërpriten nga rrjeti energjetik nga 16 gushti.

Me kalimin në tregun e lirë energjetik për bizneset që kanë mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim, çmimi i energjisë thënë më së paku, është trefishuar.

Kjo dëshmohet nga faturat e fundit të marra nga furnizimi me energji nga KEK-u, si furnizues i fundit.

E për shkak se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ishte pa konsultim me bizneset dhe pa pajtim të tyre, këto të fundit e kanë kundërshtuar duke e dërguar në Gjykatën Komerciale këtë vendim.

Avokatja Blinera Osmani, e cila publikoi aktgjykimin e Komerciales për rastin të cilin e përfaqësonte, ka konfirmuar për emisionin “Shtylla”, i cili është prodhim i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, se ky vendim i Gjykatës Komerciale nuk parashihet vetëm për palën që përfaqësonte, por për të gjitha bizneset.

Njëjtë ka konfirmuar edhe avokati Ardian Bajraktari.

E karshi kësaj situate tejet të rëndësishme për bizneset vendore, si dhe veçanërisht për vendimin e fundit të Komerciales që pezullon daljen në tregun e lirë të energjisë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kthyer përgjigje.

E rritja e çmimit të energjisë si pasojë e vendimit të ZRRE-së në dy muajt e fundit ka qenë e papërballueshme për prodhuesit.

Përfaqësuesi i kompanisë prodhuese “Pestova”, Kushtrim Ajvazi ka thënë për emisionin “Shtylla”, se faturat e energjisë janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë, dhe kjo ka sjellë pasiguri të madhe për shpenzimet e kompanisë.

“Ka shkaktuar sigurisht pasiguritë te pjesa e shpenzimeve, sepse planifikimet janë që kostoja e energjisë elektrike do të rritet mjaft nga informatat që kemi… Kemi pranuar faturën e KEK-ut, shohim që ka së paku dyfishim të energjisë elektrike në muajin qershor, krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar. Ndërkohë kur i kemi krahasuar edhe ofertat për treg të lirë në nivel vjetor del së paku trefishi i asaj që e kemi paguar deri më tani. Është kosto realisht e papërballueshme për sektorin prodhues, e posaçërisht edhe për pjesën e kompanisë tonë, do të na detyrojë t’i prekim çmimet e produkteve, sepse është kosto në nivel vjetor diku rreth 400 mijë euro rritje e faturës së energjisë elektrike në total shpenzimet e kompanisë”, thotë Ajvazi.

Sipas tij, me këto çmime të energjisë elektrike, në vendet e ndryshme evropiane do të jenë jo-konkurrentë.

“Në eksport, sigurisht që na jemi duke eksportuar në 23 vende të ndryshme, përfshirë edhe Bashkimin Evropian edhe shtete të rajonit dhe normalisht që do të na bëjë jo-konkurrentë. Ne ende nuk i kemi njoftuar saktë blerësit tanë në eksport, cili do të jetë çmimi i faturimit, sepse kemi edhe obligim që së paku tre muaj ditë t’i njoftojmë më herët në lidhje me ndryshimin e çmimeve, po sigurisht nuk do të pritet mirë dhe ndoshta do të ndikoni edhe në uljen e sasisë së shitur në eksport… Importi i produkteve në vendin tonë, po, (do të rritet) është e pashmangshme…Një pjesë do ta merr biznesi, një pjesë do të bartet edhe te konsumatorët… Nuk e kemi ende kalkulimin e saktë, por ndoshta pesë për qind së paku po (do të rriten çmimet)”, nënvizon Ajvazi.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti thotë se vendimi i ZRRE-së i dëmton rëndë bizneset dhe ekonominë e vendit.

“Biznesin vendor e bënë shumë më të pafavorshëm, krahasim me importet e mëdha, siç e dimë, e mbyti gjithë ekonominë e vendit tonë. E humb mundësinë që numrin e punëtorëve që aktualisht i kanë këto biznese t’i mbajnë ende, rrezikojnë tash të mbesin shumë punëtorë pa punë, shumë familje të mbesin në vështirësi ekonomike, humbin shumë mundësi për rritje të investimeve në vendin tonë. Ka shumë kompani, të cilat kanë pasur plane për të investuar, shtojnë kapacitetet e veta, qoftë në makineri, qoftë në qendra tjera për të hapur degë të ndryshme nëpër Kosovë dhe përpos që do të kishte përfituar në këtë rast kompania, do të kishte përfituar edhe ekonomia, edhe qytetarët, por edhe shteti, sepse do të merrte më shumë taksa… Një rrezik tjetër shumë i madh për vendin është se këto biznese ekziston shumë, të paktën pjesën dërmuese të kapaciteteve të veta rrezikojnë që t’i përfundojnë ose t’i dërgojnë nëpër vendet e rajonit që është një disfavor i jashtëzakonshëm për Kosovën…Po të kishte Kuvend të Kosovës, ky proces do të ishte pezulluar prapë, sepse nuk ka asnjë përgatitje në këtë çështje”, shprehet Ahmeti.

Vendimi i ZRRE-së kundërshtohet edhe nga opozitë në vend. Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-kryeministri dhe ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, thekson se vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.

“Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese. Kjo gjendje është e pakuptimtë. Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve. Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë. Si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë. Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës”, thotë Hoti përmes një reagimi në rrjetin social Facebook.

Megjithatë, shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale, ka vendos në favor të ZRRE-së.

Përfaqësues të bizneseve kanë paralajmëruar ankesa tjera në Gjykatën Supreme e Kushtetuese, derisa i kanë kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që të mos e zbatojë këtë vendim derisa të përfundojnë kontestet gjyqësore.

Por ZRRE paralajmëroi konsumatorët komercialë, të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar, se do të shkëputen nga rrjeti energjetik nga 16 gushti.

E me shifra zyrtare, nëse bëjmë krahasimin e çmimit të energjisë në Kosovë për bizneset, në krahasim me vendet e rajonit, por edhe më gjerë, është shumë më e lartë.

Çmimi për megavat për biznes në Kosovë është mbi 200 euro. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut është 110 euro, në Mal të Zi 110 euro e në Serbi 159. Ndërsa në shtetet evropiane, për shembull në Gjermani, çmimi është 182 euro, në Zvicër 150, Austri 170 euro, Francë 160 euro, derisa Kroacia e ka shumë më lirë, 120 euro.

Nëse krahasojmë çmimin në Kosovë me atë të Maqedonisë së Veriut si shtete fqinje, çmimi në Kosovë është më i lartë për afro 90 për qind, derisa kjo përqindje në krahasim me vendet e tjera është edhe më e madhe.

Përndryshe, emisioni “Shtylla”, do të realizohet çdo javë, dhe i dedikohet ekskluzivisht ekonomisë, ku do të ketë hulumtime, rrëfime ekskluzive, statistika, financa, por jo vetëm kaq.

“Shtylla”, është një platformë e re mediale ku ndër të tjera, bizneset promovohen, sfidat adresohen dhe sukseset ndahen me gjithë vendin.

Të ngajshme

“Nuk i kam parë fëmijët e mi ka gjashtë vite”, lirohen ukrainasit e burgosur në Rusi

KushtrimGuraj

Komuna e Ferizajt ‘çon duart’: Lokalet me prostitucion mbeten jashtë kontrollit (VIDEO)

Donat Hashani

Vdes togerja e Policisë në Ferizaj, Suzana Krasniqi, vuante nga kanceri i mushkërive

Donat Hashani