Telenews

S’certifikohen “Lidhja e Prishtinës” dhe “Lëvizja … e Shqipëtarëve” – arsyjet janë të çuditshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot vendosi për certifikimin grupit të tretë me 39 subjekte politike, prej të cilave 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 380, prej të cilëve 25 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 355 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Ndërkaq, dy subjekte politike që ishin paraparë të merrnin miratimin për certifikim sot, nuk kaluan.

Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti tha se emërtimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës”, është në kundërshtim me parimet e certifikimit të subjekteve politike, pasi, sipas tij, ky emërtim është shumë i ngjashëm me brendin dhe identitetin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ai theksoi se “Lidhja e Prishtinës” është përdorur nga vetë LDK-ja në të kaluarën, konkretisht në zgjedhjet e vitit 2017, ku ka qenë pjesë e komunikimit zyrtar të partisë në faqen e saj.

Lidhur me këtë, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala, u shpreh se megjithëse në fillim kanë pasur dyshime serioze për emërtimin “Lidhja e Prishtinës”, pas shqyrtimit të thelluar ligjor dhe praktik, kanë arritur në përfundimin se nuk ka bazë ligjore për ta refuzuar certifikimin e këtij subjekti politik.

Megjithatë, pasi u hodh në votim, me pesë vota për, një kundër dhe disa abstenime, certifikimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës” u refuzua.

Po ashtu, Zyra në fjalë ka tërhequr nga lista iniciativën qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të gabimit drejtshkrimor në fjalën “Shqipëtarëve”.

Kundër certifikimit të këtij subjekti u shprehën anëtari i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj dhe anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi.

Nitaj tha se emri i subjektit përmban një gabim të qartë drejtshkrimor, konkretisht në fjalën “Shqipëtarëve”, e cila duhej të shkruhej “Shqiptarëve”.

Ai tha se gabime të tilla nuk janë çështje formale apo të interpretueshme, por lidhen direkt me identitetin kombëtar.

Kur drejtori i Zyrës, Besnik Buzhala, u përpoq të shpjegonte se është një përcaktim i vetë subjektit, Nitaj u përgjigj prerazi se nuk është çështje e diskrecionit të tyre të shkruajnë fjalën “shqiptar” si të duan, por se duhet të respektojnë drejtshkrimin standard të gjuhës shqipe, veçanërisht kur bëhet fjalë për emërtimin e kombit.

Ndërkaq, anëtari KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi tha se nëse nuk ndryshohet shkronja, nuk do të votojë për certifikimin e kësaj iniciative.

Të ngajshme

Policia në Vlorë shpëton 3 pushues të bllokuar në det

Erzana Fazliu

Rohde: Më mirë të zgjidhej trafiku në hyrje të Vushtrrisë, sesa të ndërtohen dy ura në Ibër

Erzana Fazliu

Deputetja e LDK-së: Mafia e energjisë po e vret ekonominë e Kosovës

Erzana Fazliu