Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Brazil, pasi një juriste e re dhe e suksesshme humbi jetën pas një reaksioni të rëndë alergjik gjatë një kontrolli mjekësor rutinë.
Leticia Paul, 22 vjeç, ndërroi jetë pasi pësoi shok anafilaktik të mërkurën gjatë një skanimi CT me kontrast në Spitalin Rajonal Alto Vale, në qytetin Rio do Sul, raportoi mediumi G1.
Sipas të afërmve të saj, reagimi fatal u shkaktua nga lënda kontrastuese që i ishte injektuar përpara skanimit. Halla e saj ka treguar se Leticia u dërgua menjëherë në spital, por për fat të keq, ajo ndërroi jetë brenda më pak se 24 orëve.
Familjarët kanë bërë të ditur se Leticia kishte shkuar për një kontroll për shkak të problemeve me gurë në veshka, kur ndodhi tragjedia.
Ajo u kremua në krematorin “Vatican” në qytetin Balneário Camboriú, sipas raportimeve të mediave lokale.
Leticia kishte përfunduar së fundmi studimet në drejtësi në Colégio Sinodal Ruy Barbosa dhe kishte filluar studimet pasuniversitare në fushën e Drejtësisë dhe Pasurive të Paluajtshme, raportoi Oeste SC Notícias.
“Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe miqtë e saj. Ju dëshirojmë forcë dhe ngushëllim në këtë kohë zie”, thuhej në deklaratën e shkollës ku ajo kishte studiuar.
Pas ngjarjes, Spitali Rajonal Alto Vale reagoi përmes një deklarate zyrtare ku shprehu “keqardhje të thellë për humbjen” dhe “solidaritet me familjen”. Spitali tha se të gjitha procedurat mjekësore janë ndjekur sipas protokolleve klinike të rekomanduara, duke theksuar përkushtimin e tyre për etikën, transparencën dhe sigurinë e pacientëve.
Sipas Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë në SHBA, mjekët përdorin shpesh lëndë kontrastuese të jodit për skanime si CT, MRI dhe rreze X, për të pasqyruar më qartë organet dhe indet. Megjithëse zakonisht konsiderohet e sigurt, rreth 1 në 5,000 deri 10,000 pacientë mund të kenë një reaksion të rrezikshëm për jetën.
Simptomat më të zakonshme janë ndjesi e nxehtë, të përziera të lehta ose kruarje, por në raste shumë të rralla, ndodhin edhe reagime fatale si ai që i mori jetën Leticia Paulit.