Telenews

18 milionë euro bulevard në Gjilan, por me tender të kontestuar: Shkelje ligjore, afate të paligjshme dhe kushte kufizuese për kompanitë

18-milione-euro-bulevard-ne-gjilan,-por-me-tender-te-kontestuar:-shkelje-ligjore,-afate-te-paligjshme-dhe-kushte-kufizuese-per-kompanite

18 milionë euro bulevard në Gjilan, por me tender të kontestuar: Shkelje ligjore, afate të paligjshme dhe kushte kufizuese për kompanitë

Organizata Demokraci Plus (D+) ka analizuar procesin e prokurimit për ndërtimin e projektit të integruar të bulevardit në Gjilan, me vlerë mbi 18 milionë euro, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe mangësish serioze. Sipas raportit, komuna ka nisur procedurat pa plan të miratuar prokurimi, ka publikuar një njoftim paraprak të mangët dhe ka caktuar afate të paligjshme për dorëzimin e ofertave, duke kufizuar konkurrencën dhe duke favorizuar operatorë të caktuar përmes kritereve diskriminuese, shkruan Demokracia.com.

Ndërkohë, Komuna e Gjilanit ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e bulevardit me grupin e operatorëve ekonomikë “B-Bardhi Sh.P.K., Besa Company Sh.P.K. & Linda”, në vlerë prej 17,988,067.70 euro.

Për dyshimet mbi paligjshmëritë e këtij tenderi, ka raportuar disa herë edhe Demokracia.com.

Çka gjeti D+

Në mars të vitit 2025, Komuna e Gjilanit, inicioi procedurat për një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në këtë qytet, projekt ky që parasheh: ndërtimin e një bulevardi të integruar duke përfshirë një parking nëntokësor, një shesh të ri publik dhe objektin e ri të administratës49. Ky projekt, në vlerë të parashikuar 18 milionë euro, u paralajmërua fillimisht në qershor të vitit 2024, përmes publikimit të njoftimit paraprak për kontratë, dokument që përdoret për të rritur transparencën dhe për të informuar operatorët ekonomikë mbi planet e ardhshme të prokurimit, në rastet kur kontrata e planifikuar e tejkalon vlerën 500,000.00 euro.

Sipas Rregullores50, një njoftim paraprak i saktë dhe i plotë mund të përdoret nga autoriteti kontraktues për të reduktuar afatet kohore për dorëzimin e ofertave, duke supozuar se informacionet thelbësore janë të përfshira që në këtë fazë të parë. Megjithatë, në rastin konkret, njoftimi paraprak i Komunës së Gjilanit, nuk përmbante asnjë nga informacionet e detyrueshme siç janë përshkrimi i qartë i kontratës, natyra e punëve, kriteret e parashikuara për përzgjedhje apo afatet e planifikuara. Vlera e parashikuar në njoftim ishte vetëm 1 milion euro, shumëfish më pak sesa vlera reale e kontratës, ndërkohë që data e nisjes parashikohej të ishte 3 qershor 2024, por ky tender u iniciua në mars, 2025.

Pavarësisht se nuk ishte plotësuar kushti i njoftimit paraprak për shkurtim të afatit për dorëzimin e ofertave, Komuna e Gjilanit, la vetëm 20 ditë për dorëzimin e ofertave. LPP përcakton, që për kontrata të vlerës së madhe, siç është ky projekt, afati minimal i kërkuar për dorëzimin e ofertave është 40 ditë nga data e publikimit51. Ligji lejon përdorimin e afatit të shkurtuar vetëm në rastet kur: ekziston një urgjencë reale dhe e paparashikueshme që e bën të pamundur respektimin e afateve standarde;

kjo urgjencë nuk është shkaktuar nga autoriteti kontraktues vetë;

­ dhe kur justifikimi është i argumentuar qartë dhe i mbështetur në fakte objektive.

Komuna e Gjilanit hap tenderin 18-milionësh për bulevardin, por shkel ligjin në afatet e ofertimit

Arsyetimi i dhënë nga Komuna e Gjilanit, nuk lidhet me asnjë nga kushtet e parapara në LPP, por thotë se ekziston një marrëveshje mes komunës dhe MMPHI-së, që përcakton kushtet e pagesës, dhe se për këtë projekt ekziston nevoja që punimet të fillojnë sa më shpejtë, për të shmangur sezonin e dimrit. Marrëveshja e bashkëpunimit52, të cilës Komuna i referohet, nuk përmban asnjë afat kohor të detyrueshëm që do ta bënte të pamundur ndjekjen e procedurave standarde. Kjo marrëveshje parashikon vetëm që Ministria do të kontribuojë me 100,000.00 euro, ndërkohë që pjesa kryesore e financimit, 19,900,000.0053 euro, do të mbulohet nga vetë komuna, që përbën 99.5% të vlerës totale të projektit.

KRPP e konfirmon që Komuna e Gjilanit kundërligjshëm shkurtoi afatin e ofertimit për tenderin 18-milionësh

Arsyetimi tjetër, që projekti duhet të fillojë para dimrit është krejtësisht i pabazuar, pasi sipas Dosjes së Tenderit, punimet janë të planifikuara të zgjasin 730 ditë (dy vite të plota), nga nënshkrimi i kontratës, ndaj pavarësisht kohës së fillimit, projekti do të përfshijë dy sezone dimri, dhe rrjedhimisht, nuk ka asnjë përfitim real nga shkurtimi i afatit për dorëzimin e ofertave.

Ky aktivitet i prokurimit nuk figuron as në planin e prokurimit për vitin 2025, pasi Komuna e Gjilanit nuk ka publikuar një dokument të tillë, edhe pse ky plan është obligues për çdo autoritet kontraktues. Sipas LPP, jo më pak se tridhjetë (30) ditë para fillimit të çdo viti fiskal, autoritetet kontraktuese janë të detyruara të hartojnë planin paraprak të prokurimit, në të cilin identifikohen në mënyrë të detajuar të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që planifikohen të prokurohen gjatë vitit54. Në rastin e autoriteteve publike dhe ndërmarrjeve publike, ky dokument duhet gjithashtu t’i dorëzohet me shkrim Zyrtarit Kryesor Administrativ.

Megjithatë, ky projekt i përmasave të jashtëzakonshme, i cili ndërthur tre projekte në një, me mbi 1900 pozicione të veçanta dhe një vlerë prej 18 milionë euro, është zhvilluar pa një planifikim të qartë publik, pa njoftim paraprak të saktë dhe me një afat të shkurtuar për dorëzimin e ofertave, i cili nuk është në harmoni me kërkesat e LPP-së. Edhe Udhëzuesi i Prokurimit Publik55, përcakton që autoritetet kontraktuese duhet të marrin parasysh kompleksitetin e kontratës për caktim të kohës për përgatitjen e ofertave, duke ndaluar përcaktimin e afateve kohore të cilat janë më të shkurta se ato të përcaktuara me ligj, teksa AK-të, lejohen që të përcaktojnë afate më të gjata kohore në mënyrë që të ju mundësojnë operatorëve ekonomikë periudha më të gjata për përgatitjen e ofertave.

Mungesa e planifikimit paraprak dhe përjashtimi i këtij aktiviteti nga dokumenti bazë i transparencës vjetore, i kombinuar me kompleksitetin dhe përmasën e lartë të projektit, e minojnë rëndë transparencën, barazinë në qasje dhe integritetin e procesit të prokurimit, duke krijuar perceptimin, dhe mundësinë reale, se procedura është menaxhuar në mënyrë që të kufizojë konkurrencën dhe të favorizojë operatorë ekonomikë të caktuar.

Komuna e Gjilanit, vendosi një sërë kërkesash për kapacitetin teknik dhe profesional të operatorëve ekonomikë, të cilat u vlerësuan nga KRPP-ja si kufizuese dhe në kundërshtim me parimet e konkurrencës së drejtë56. KRPP, përmes Njësisë së Monitorimit, më 19 mars 2025, dha disa rekomandime specifike për rishikimin e këtyre kërkesave, duke vënë në pah se ato cenonin nenin 7.2 të LPP-së, që ndalon çdo formë diskriminimi dhe kufizimi të konkurrencës.

KRPP dha rekomandime për rishikimin e disa kërkesave, të cilat kanë efekt përjashtues ndaj një numri të madh të operatorëve ekonomikë. Disa nga kërkesat kufizuese:

Një bachelor i diplomuar i hidroteknikës, i certifikuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME),


për mbrojtje nga zjarri, me minimum tetë vjet përvojë pune nga data e certifikimit;

Operatori ekonomik të paraqesë minimum 60 punëtorë të stafit teknik (në rast konsorciumi, lideri duhet të ketë të paktën 50), të gjithë të dëshmuar me listën e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për së paku dy muajt e fundit të vitit 2024;

Operatori të ofrojë certifikatën e qëndrueshmërisë së performancës dhe konformitetit (EN 40-5:2002-1608-CPR-P033 valide), së bashku me certifikatat për kontaktorë dhe ndërprerës elektrikë sipas standardeve IEC 60947-4:2009 dhe IEC 60947-3:2020.

Përderisa kërkesa për kualifikime akademike, si diploma Bachelor në hidroteknikë, është e arsyeshme, kërkesa shtesë për certifikim në Agjencinë për Menaxhim Emergjent dhe përvojë pune prej tetë vjetësh nga data e certifikimit është në thelb kufizuese dhe ngushton në mënyrë të pajustifikuar numrin e operatorëve ekonomikë që mund të aplikojnë, për më tepër kur këto elemente nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me natyrën e punimeve që pritet të realizohen. Po ashtu, kërkesa që 60 punëtorë të jenë të deklaruar në ATK në muajt e fundit të vitit 2024, është në kundërshtim me nenin 69.6.5 të LPP-së, i cili e lejon përdorimin e stafit teknik edhe përmes parakontratave të lidhura posaçërisht për projektin, e jo vetëm përmes punësimit paraprak.

Kërkesa që operatori ekonomik të paraqesë certifikatë (EN 405:20021608CPRP033), së bashku me dokumentacionin për karakteristikat e produkteve (p.sh. për shtylla konike 6,8 m dhe 12,8 m), është po ashtu kufizuese ndaj konkurrencës, për faktin se certifikimi i prodhuesit të shtyllave është i mjaftueshëm. Ndërsa kërkesa që operatori ekonomik (jo prodhues) të ketë certifikatën dhe autorizim përkatës krijon një barrierë shtesë dhe favorizon operatorët që janë edhe importues ose prodhues të autorizuar të këtyre produkteve, duke reduktuar konkurrencën nga operatorë të tjerë që mund të plotësojnë kërkesën teknike pa qenë të certifikuar sipas këtij standardi.

KRPP vërejti dhe potencoi gjithashtu problematikën e vendimit të Komunës për të shkurtuar afatin ligjor për dorëzimin e ofertave, duke theksuar se, duke qenë se kemi të bëjmë me një kontratë të vlerës së madhe dhe kompleksitet të lartë, është e domosdoshme që operatorëve ekonomikë t’u lihet kohë e mjaftueshme sipas afatit ligjor për përgatitjen e ofertave. Ky shkurtim, pa një justifikim të qëndrueshëm ligjor, paraqet një formë shtesë të kufizimit të konkurrencës dhe bie në kundërshtim me nenet 44 dhe 45 të LPP-së, që përcaktojnë afatet ligjore për dorëzimin e ofertave.

Komuna e Gjilanit publikoi një version të korrigjuar të Dosjes së Tenderit, fillimisht me 27 mars, por nuk adresoi rekomandimet që dolën nga monitorimi i KRPP-së, pasi versioni i korrigjuar i dosjes, ruan të njëjtat kërkesa që KRPP i kishte gjetur si kufizuese ndaj konkurrencës. Në këtë version mbeti kërkesa për certifikime të veçanta që nuk kërkohen nga ligji, përvojë të lidhur ngushtë me datën e certifikimit dhe jo me kualifikimin profesional, numër të fiksuar punonjësish teknikë të deklaruar në ATK, dhe kërkesa për certifikata teknike që favorizojnë prodhues apo operatorë specifikë. Ndryshimi i vetëm ishte që kërkesa për një Bachelor në hidroteknik të certifikuar në AME për mbrojtje nga zjarri me minimum 8 vite përvojë punë nga data e certifikimit u ndryshua në Bachelor në hidroteknikë, të certifikuar nga AME për mbrojtje nga zjarri me minimum 5 vite përvojë pune nga data e certifikimit. Ky ndryshim i vetëm nuk adreson rekomandimet e KRPP-së, pasi shqetësimi kryesor lidhet me vetë kërkesën për përvojë të lidhur me datën e certifikimit për një lloj specifik certifikate që nuk kërkohet nga ligji, dhe e cila përbën kufizim të panevojshëm dhe potencialisht favorizues ndaj operatorëve të caktuar.

Komuna e Gjilanit, nuk adresoi njërën nga shkeljet më thelbësore të evidentuara në monitorimin e KRPP-së, afatin për dorëzimin  ofertave. Në versionin e korrigjuar të Dosjes së Tenderit, ku praktikisht kishte vetëm një ndryshim, afati për dorëzimin e ofertave mbeti 7 prilli 2025, duke lënë kështu vetëm 11 ditë kohë për përgatitjen e ofertave nga publikimi i këtij dokumenti. Më pas, Komuna publikoi një tjetër formular për korrigjimin e gabimeve, ku data e fundit për dorëzimin e ofertave u ndryshua nga 7 prill në 26 maj 2025. Por ky dokument u publikua pikërisht më 26 maj, duke mos prodhuar asnjë efekt real në zgjatjen e afatit, pasi data e re për dorëzimin e ofertave ishte dita e njëjta me vetë publikimin.

Në këtë aktivitet të prokurimit morën pjesë katër ofertues, teksa për kontratë u rekomandua grupi i operatorëve ekonomikë, “B-Bardhi Sh.P.K.; Besa Company Sh.P.K.; Linda”, që ofertuan me 17,988,067.70 euro. Në lidhje me këtë vendim, janë deponuar dy ankesa në OShP.

Nën dyshime për manipulim dhe kurdisje ofertash, përfundon në OSHP tenderi 18-milionësh i komunës së Alban Hysenit

Operatorët ekonomikë ofertues dhe vlera e ofertave për bulevardin në Gjilan

  1. GEO B-Bardhi Sh.P.K., Besa Company Sh.P.K. & Linda – 17,988,067.70 €

  2. GEO Ileaa – GR World Medium Sh.P.K. & Limint Project Sh.P.K. – 17,495,697.84 €

  3. GEO Pro & Co Group Sh.P.K., Companya Eskavatori Sh.P.K., Arlindi Sh.P.K. & Best Company Sh.P.K. – 17,449,861.09 €

  4. VMM Group Sh.P.K. – 18,036,567.70 €. /Demokracia.com/

Shpallet fituesi me ofertë më të lartë, Komuna e Gjilanit eliminon dy oferta më të lira për bulevardin 18-milionësh

Të ngajshme

Dogana ndalon syze dielli “Gucci, “Porsche” dhe “Miu Miu”

Valjeta Turkaj

LDK-ja nis reformën, merr vendimin e parë

Valjeta Turkaj

Komisioni Evropian heq të gjitha masat financiare ndaj Kosovës

Valjeta Turkaj