Telenews

Belgjika do ta njohë shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Belgjika ka njoftuar se do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duke iu bashkuar vendeve si Australia, Britania, Kanadaja dhe Franca.

Kështu deklaroi gjatë së martës ministri i Jashtëm Maxime Prévot. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Belgjikës për rindërtimin e Palestinës, duke potencuar se vendi do të avokojë për masa evropiane ndaj Hamasit.

“Belgjika do t’u bashkohet nënshkruesve të Deklaratës së Nju Jorkut, duke hapur rrugën për një zgjidhje me dy shtete, ku një shtet palestinez të bashkëjetojë në paqe pranë Izraelit. Belgjika synon ta njohë shtetin palestinez si pjesë e një iniciative diplomatike të përbashkët të udhëhequr nga Franca dhe Arabia Saudite”, tha Prévot në një postim në platformën X.

Belgjika gjithashtu do të vendosë 12 sanksione ndaj Izraelit, përfshirë: Ndalim importi të produkteve nga vendbanimet izraelite, rishikim të kontratave publike me kompanitë izraelite dhe shpalljen e liderëve të Hamasit persona non grata në Belgjikë, raporton Reuters.

Ky vendim vjen në një kohë kur veçse po shtohen presionet ndërkombëtare ndaj Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës, e cila nisi pas sulmit të Hamasit në tetor 2023, ku u vranë 1,200 izraelitë dhe u morën mbi 250 pengje.

Shtetet e Bashkuara, ndonëse thonë se e mbështesin zgjidhjen me dy shtete, janë kundër njohjeve të njëanshme të Palestinës. Madje SHBA-ja edhe ka ndaluar presidentin palestinez Mahmoud Abbas të udhëtojë në Nju Jork për samitin e OKB-së. Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vendimin e Kanadasë për të mbështetur shtetin palestinez, e edhe Marco Rubio e quajti të pamatur vendimin e Francës për këtë çështje.

Izraeli ka reaguar ashpër dhe sipas raportimeve, po mendon të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor si kundërpërgjigje ndaj këtyre njohjeve, ani pse në vitin 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se okupimi i territoreve palestineze nga Izraeli, përfshirë vendbanimet, është i paligjshëm dhe duhet të ndërpritet menjëherë.

Izraeli pretendon se këto territore janë “toka të diskutueshme”, jo të okupuara, por shumica e bashkësisë ndërkombëtare i konsideron ato si të tilla.

Palestinezët prej kohësh kërkojnë një shtet në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet.

Të ngajshme

Zelensky paralajmëron se Rusia po shton forcat në disa pjesë të vijës së frontit

KushtrimGuraj

Trump: Jam shumë i zhgënjyer nga Putini

KushtrimGuraj

Tahiri vlerëson Kroacinë për kritikat ndaj BE-së për sulmin në Banjskë: Qeveria Kurti ka heshtur, ndonëse Kosova edhe u sulmua edhe u ndëshkua

KushtrimGuraj