Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar rezultatet e auditimit të performancës mbi “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022–2024, duke vlerësuar trajtimin e ankesave, planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, zbatimin e strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin ndërinstitucional.
Auditimi ka treguar se, pavarësisht përpjekjeve të institucioneve, konsumatorët në Kosovë nuk përfitojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, ndërsa institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë.
Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve është i dobët dhe jo i koordinuar. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike, gjë që pengon një mbikëqyrje të besueshme dhe transparente të rasteve. Inspektimet kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut.
Strategjitë dhe planet për mbrojtje të konsumatorëve nuk shoqërohen me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat për ndërgjegjësim janë të kufizuara dhe nuk arrijnë te të gjithë qytetarët. Koordinimi ndërmjet institucioneve mbetet i dobët dhe mungon një sistem i integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se “mangësitë e identifikuara në funksionimin e Sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë për mbrojtje.”
Për të përmirësuar trajtimin e ankesave, forcimin e inspektimeve, rritjen e ndërgjegjësimit dhe koordinimin ndërinstitucional, ZKA-ja ka dhënë 13 rekomandime konkrete.