Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës kanë arrestuar të premten një person me inicialet R.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar nën dyshimin se ka kryer krime gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi,” thuhet në njoftim.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë theksuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e krimeve të luftës:
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në hetimin dhe ndjekjen penale të kryerësve të këtyre veprave penale,” thuhet tutje në njoftim.