Gjykata në Bali ka dënuar me burgim të përjetshëm një shtetas ukrainas, pasi u shpall fajtor për ngritjen e një laboratori droge në ishullin indonezian.
Autoritetet tajlandeze kanë arrestuar Roman Nazarenko, i cili ishte i listuar si i arratisur nga Interpoli, në aeroportin Suvarnabhumi në dhjetor, teksa përpiqej të udhëtonte drejt Dubai. Më pas, ai është ekstraduar në Indonezi, raporton Al Jazeera.
Sipas mediave vendore, i pandehuri u arrestua vitin e kaluar gjatë një aksioni policor, ku u sekuestruan substanca narkotike dhe pajisje të sofistikuara për prodhimin e tyre. Prokuroria kërkoi dënimin maksimal, duke e cilësuar rastin si një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare.
Gjatë seancës, ukrainasi mohoi se ishte organizatori kryesor, mirëpo gjykata vlerësoi se provat ishin të mjaftueshme për ta shpallur fajtor.
Ligjet e Indonezisë ndaj drogës janë ndër më të ashpërit në botë, ku për rastet më të rënda parashikohet edhe dënimi me vdekje.