Dua Lipa ka ndarë rrugët me menaxherin e saj, David Levy, pas një debati mbi performancën e reperëve Kneecap në Glastonbury.
Levy kishte nënshkruar një letër që kërkonte nga themeluesi i festivalit, Michael Eavis, që të ndalonte pjesëmarrjen e grupit pro-palestinez nga Belfasti, duke i akuzuar për nxitje antisemitizmi dhe mbështetje të Hezbollah. Letra u publikua më pas, duke zbuluar fushatën e tij kundër reperëve.
Një burim tha për The Mail on Sunday se Dua ishte e vendosur që Levy të mos punonte më me të, pasi qëndrimet e tij nuk përputheshin me mbështetjen e saj të hapur për Palestinën, shkruan DailyMail.
Pavarësisht fushatës së menaxherit, Kneecap performoi në Glastonbury. Një nga anëtarët e grupit, Liam Og O hAnnaidh, i njohur si Mo Chara, ishte në lirim me kusht për akuza të lidhura me terrorizmin, por performanca e tyre nuk solli ndërhyrje nga policia.