Telenews

Kosova e treta në botë për siguri, Policia e Kosovës: Dëshmi e qartë e përkushtimit për rend dhe siguri publike

Raporti më i ri ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të muajit shtator, ka renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë, duke e pozicionuar të tretën në nivel global dhe të parën në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.

Sipas raportit, Kosova ka arritur rezultat 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u renditur menjëherë pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë) si tre vendet më të sigurta në botë. Ky rezultat e bën Kosovën vendin më të sigurt në Evropë, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, raporti thekson se 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonën ku jetojnë, përqindje që e vendos Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë në botë dhe në Evropë.

“Këto rezultate janë të lidhura ngushtë edhe me përkrahjen e vazhdueshme që Policia e Kosovës gëzon nga institucionet vendore dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionet tjera të sigurisë, të cilat së bashku krijojnë një sistem gjithëpërfshirës për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, sipas tyre, ky vlerësim ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, forcimin e bashkëpunimit e partneritetit me komunitetin dhe rritjen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe pronës, ofrimin e sigurisë dhe shërbim sa më profesional, efektiv dhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët pa dallim.

Të ngajshme

Basha e Haxhiu bëjnë homazhe për aktorin dhe regjisorin Enver Petrovci

Valjeta Turkaj

Osmani në Fox News: Trump parandaloi një përshkallëzim të situatës me Serbinë

Valjeta Turkaj

Besnik Osmani: Prodhuesit vendorë meritojnë më shumë mbështetje

Erzana Fazliu