Telenews

FFK dënon skenat provokuese në ndeshjen Serbi – Shqipëri, paralajmëron ankesë zyrtare në UEFA

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ashpër pas ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, ku në tribunat e stadiumit të Leskovcit janë shfaqur mesazhe provokuese dhe thirrje në kor kundër Kosovës.

Në reagimin e saj, FFK dënon ekspozimin e flamurit serb mbi hartën e Kosovës dhe veprime të tjera që nxisin urrejtje, duke theksuar se këto skena fatkeqësisht janë bërë të zakonshme në stadiumet serbe dhe ndodhin pa ndëshkime të mjaftueshme.

“Veprime të tilla bien ndesh me frymën sportive, me parimet e respektit dhe me vlerat që UEFA dhe FIFA përfaqësojnë,” thuhet në deklaratën e Federatës së Futbollit të Kosovës.

FFK njofton se do të paraqesë një notë proteste zyrtare në UEFA, me kërkesë që të ndërmerren masa të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për këto akte të përsëritura që, siç thuhet, “dëmtojnë imazhin e futbollit dhe cenojnë parimet themelore të sportit evropian.”

Njëkohësisht, FFK ka uruar Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren e merituar 1:0 ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si pasqyrim të karakterit dhe përkushtimit të futbollit shqiptar.

Në fund, Federata ka ritheksuar përkushtimin për të mbrojtur me dinjitet vlerat e sportit, respektin dhe barazinë mes popujve, duke kërkuar që çdo fushë futbolli në Evropë të mbetet “vend i lojës dhe jo i urrejtjes.”

Të ngajshme

Reagimi i Rita Orës pas fitores historike të Shqipërisë ndaj Serbisë

KushtrimGuraj

Rey Manaj nderohet me mural në Mitrovicë pas fitores historike ndaj Serbisë

KushtrimGuraj

Edi Rama reagon pas fitores së Shqipërisë ndaj Serbisë

Donat Hashani