Telenews

Protestojnë për paga punonjësit e televizionit publik, paralajmërojnë grevë të përgjithshme

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë sërish në protestë për shkak të mosmarrjes së pagave, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime urgjente për zgjidhjen e situatës.

Në duar ata mbanin pankarta me mbishkrime të fuqishme si: “Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë = demokraci pa zë”, “Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë” dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”. Punëtorët kërkuan vetëm atë që u takon me ligj – pagat e tyre, të cilat nuk i kanë marrë tash e gjashtë ditë.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, kërkoi reflektim nga institucionet dhe paralajmëroi mundësinë e hyrjes në grevë të përgjithshme nëse gjendja nuk ndryshon.

“Jemi këtu jo për luks, e jo për rritje pagës fatkeqësisht, por për një të drejtë themelore – për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend që të protestojmë për përmirësimin e kushteve të punës apo rritje të pagës, ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim. Nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje, protestat tona mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

Nënkryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Naile Dema-Selmani, i bëri thirrje urgjente kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të alokojë menjëherë pagat për punëtorët e RTK-së.

“AGK ka vetëm një kërkesë sot. Kërkon në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thjesht t’i alokojë pagat për punëtorët e RTK-së. Ta bëjë njësoj si herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni edhe financiar që po bëhet ndaj punonjësve medial”, tha ajo.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Sindikatës, Fisnik Dërguti, akuzoi se RTK po përdoret për shantazhe dhe për përplasje politike ndërmjet partive.

“Kjo formë e protestës do të vazhdojë, deri te grevat, të cilat po duken të pashmangshme. Siç po shihet, zgjidhja për RTK-në po përdoret për inate politike, shantazh e vetëm e vetëm që partitë të sqarojnë hesapet politike mes vete”, tha Dërguti.

Të ngajshme

Putin urdhëron rekrutimin në ushtri të 135 mijë rusëve deri në fund të vitit

Valjeta Turkaj

Sëmuret Përparim Rama, ndodhet nën përkujdesjen e mjekëve në shtëpi

Valjeta Turkaj

Bastiset autoservisi i të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë

Valjeta Turkaj