Telenews

Roboti rus me inteligjencë artificiale rrëzohet pak sekonda pasi u prezantua

Roboti i parë humanoid rus me inteligjencë artificiale u rrëzua në skenë gjatë prezantimit zyrtar në një ngjarje teknologjike në Moskë më 10 nëntor, duke shkaktuar reagime dhe tallje në rrjetet sociale.

Roboti, i quajtur AIdol, u prezantua nga zhvilluesit si shembull i avancuar i robotikës antropomorfe, ndërtuar kryesisht me komponentë vendas. Por, sapo u shfaq në skenë, i shoqëruar nga dy punonjës dhe nën tingujt e kolonës zanore të filmit Rocky, roboti humbi ekuilibrin dhe u rrëzua, duke lënë disa pjesë të shpërndara në skenë.

Pamjet e publikuara nga mediat e pavarura ruse tregojnë personelin që nxiton ta mbulojë robotin me një perde, ndërsa përpiqen ta ngritin dhe ta largojnë nga skena.

Prezantimi i AIdolit shënon përpjekjen e Rusisë për t’u përfshirë në garën botërore për zhvillimin e robotëve me pamje dhe sjellje njerëzore, të fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Sipas Vladimir Vitukhin, drejtor ekzekutiv i kompanisë ruse të robotikës Idol, roboti është krijuar për të integruar lëvizjen, manipulimin e objekteve dhe ndërveprimin njerëzor përmes “inteligjencës artificiale”.

Rënia e robotit, sipas kompanisë, ndodhi për shkak të problemeve me kalibrimin, dhe ngjarja u cilësua si pjesë e fazës së testimit.

“Shpresoj që ky gabim të shndërrohet në përvojë”, ka thënë Vitukhin.

Megjithëse prezantimi synonte të demonstronte përparimin e Rusisë në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës, shumë përdorues rusë në rrjetet sociale u përqendruan te paaftësia e robotit për të qëndruar në këmbë dhe te vendimi për të prezantuar një prototip të papërfunduar.

Të ngajshme

Pse telefoni juaj tregon sinjal të plotë edhe kur lidhja mezi punon?

Erzana Fazliu

Astronomët vërejnë shpërthimin e parë të një ylli gjigand jashtë Sistemit Diellor

Valjeta Turkaj

Mercedes-Benz i ardhshëm elektrik GLB do të ketë një ekran super gjigant

KushtrimGuraj