Telenews

Greva e autobusëve në Prishtinë vazhdon “deri kur të alokohen fondet”, rrugët bllokohen nesër nga ora 10:00

Autobusët e kryeqytetit nuk do të dalin në linja as nesër, pasi greva e punëtorëve të Trafikut Urban në Prishtinë do të vazhdojë nga ora 10:00.

Kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, ka konfirmuar për Radio Kosovën se greva do të zgjasë deri në momentin që Komuna e Prishtinës të shlyejë borxhet ndaj operatorëve publikë dhe privatë të transportit.

Si pjesë e protestës, nesër nga ora 10:00 deri në 12:00, autobusët do të bllokojnë rrugët nga Qeveria e Kosovës deri te Komuna e Prishtinës. Qëllimi është të kërkohet sigurimi i fondeve për pagesat e punëtorëve dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban.

“Nesër do të fillojmë grevën dhe do të dalim me autobusët për bartjen e punëtorëve tanë deri te objekti i Komunës. Greva do të vazhdojë deri në momentin që fondet të alokohen në xhirollogarinë e Trafikut Urban. Nëse kjo nuk ndodh, greva do të vazhdojë në ditët e ardhshme,” tha Gashi.

Ai ka shprehur keqardhje për shqetësimet e shkaktuara tek qytetarët, por ka theksuar se shërbimi publik do të rikthehet menjëherë pas alokimit të mjeteve.

Zyrtarët e Trafikut Urban kanë bërë me dije se ditët e humbura të shërbimit do të kompensohen përmes biletave mujore. Greva e autobusëve ka nisur të hënën, ndërsa borxhi i Komunës ndaj Trafikut Urban arrin 3.22 milionë euro, dhe 1.6 milion euro Trafiku ia ka borxh furnitorëve për derivate.

Të ngajshme

Opozita kërkon rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në, VV-ja thotë se bashkëpunimi do të vazhdojë –

KushtrimGuraj

Begaj takon sot krerët e komuniteteve fetare, pas pesë ditësh protestash në Shqipëri –

KushtrimGuraj

“Arrestime të zyrtarëve” – Kryeprokuroria thyen heshtjen, reagon pas raportimeve që shkaktuan konfuzion në publik –

KushtrimGuraj