Telenews

Mustafa: Osmani s’po e mban anën e Kushtetutës – takimet me diasporën janë të mira, por jo në kohë fushate

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se gjuha e zbutur e akterëve të Lëvizjes Vetëvendosje është pjesë e strategjisë së fushatës së tyre zgjedhore, raporton Periskopi.

Në një intervistë për Periskopin, Mustafa ka thënë se qëllimet e VV-së mbeten të njëjta dhe se kërkesa e saj për ta qeverisur vendin e vetme është shqetësuese.

“Ndryshimi është vetëm në strategjinë e fushatës. Nuk ka të bëjë fare me sjelljen pas fushatës, sepse qëllimet janë të njëjtat, ndërsa mjetet edhe më perfide. Është e frikshme kur një subjekt politik kërkon dhe synon ta qeverisë i vetëm Kosovën. Në fakt, për ta dhunuar. Dhe aq më keq është të shohësh viktimat të dashuruara me dhunuesit e shtetit dhe me dhunuesit e tyre”, ka thënë ai.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike, Mustafa u shpreh se gjendja në Kosovë nuk është normale, prandaj edhe rezultatet zgjedhore janë të vështira për t’u parashikuar.

“Është vështirë të parashikohet rezultati, sepse gjendja nuk është normale. Në një situatë jonormale zakonisht mungon rezultati i arsyeshëm. Mendoj se duhet të fillojë të mbizotërojë arsyeja për të shpresuar dhe besuar në rezultate”, theksoi ai.

Megjithatë, Mustafa u bëri thirrje partive të tjera politike që të mos e imitojnë VV-në dhe të hyjnë në zgjedhje me synimin për të fituar e për të qeverisur, e jo për të qëndruar në opozitë.

“Është shumë e mundshme dhe tepër e nevojshme që partitë e ish-opozitës ta formojnë qeverinë, dhe ato mund ta bëjnë këtë. Por për ta arritur këtë, duhet të ndalen së kopjuari apo imituari VV-në. Duhet të jenë të gatshme të marrin vendime me rrezik politik dhe të marrin përgjegjësi para qytetarëve. Duhet të vetëdijësohen se në zgjedhje hyhet për të fituar dhe për të qeverisur, e jo për të qëndruar në opozitë”, ka deklaruar Mustafa për Periskopin.

Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani pritet të organizojë një takim me mërgimtarët dy ditë para zgjedhjeve, më 26 dhjetor. Në ftesë theksohet se ky është një takim tradicional.

Mustafa i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i Osmanit, tha se takimet me diasporën janë të mirëseardhura, por vetëm në kohën e duhur, e jo gjatë fushatës zgjedhore.

Ai ngriti dyshime për qëllimet e këtij takimi dhe për mesazhet që Osmani mund t’u drejtojë mërgimtarëve.

“Takimet me diasporën janë të mira, por në kohë dhe rrethana të arsyeshme, jo në kohë fushate. Shtrohet pyetja: çfarë do të kërkojë dhe çfarë do t’u thotë Vjosa bashkatdhetarëve tanë një ditë para votimit? Pse të mos i ftojë një ditë pas votimit?”, ka thënë ai.

Mustafa gjithashtu ka deklaruar se Presidentja Osmani nuk po e mban anën e Kushtetutës.

“Vjosa Osmani nuk po e mban anën e Kushtetutës që e obligon të jetë institucion që promovon unitetin e popullit”, ka theksuar ai.

Në fund, Mustafa ka shtuar se performancën e Vjosa Osmanit si presidente mund ta vlerësojë më së miri Albin Kurti.

“Performancën e Vjosës mund ta vlerësojë më së miri Albin Kurti, në rolin e punëdhënësit”, ka deklaruar Mustafa.

Të ngajshme

Të premten do të nisë instalimi i ujëmatësve digjitalë në ‘Breg të Diellit’ në kryeqytet

Valjeta Turkaj

Vdes një 57-vjeçar në Prizren, pranë tij u gjet një armë

Valjeta Turkaj

Komisioni Evropian e konfirmon se ka hequr 50% të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Valjeta Turkaj