Telenews

Urimi i Presidentes Osmani për Vitin e Ri 2026

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026. Osmani ka thënë se viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet.

“Sot, Kosova përmbylli një vit jo të lehtë, por një vit në të cilin zëri i saj u dëgjua fuqishëm dhe qëndrimi ynë në arenën ndërkombëtare ishte parimor dhe i palëkundur. Ishte një vit sfidues, sidomos me vonesat në themelimin e institucioneve, por ishte poashtu vit që na ka forcuar dhe na ka përgatitur të ecim përpara me më shumë besim dhe me më shumë përgjegjësi”, thuhet ndër të tjera në urimin e Osmanit.

Urimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të dashur bashkatdhetarë kudo që ndodheni,

Në këtë natë ndërrimi vitesh, teksa mbyllim një vit të mbushur me punë, vendime të rëndësishme, por edhe me sfida, ndalemi për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar së bashku dhe mbi forcën që kemi treguar si shtet dhe si shoqëri.

Viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet. Ka qenë një vit në të cilin kemi forcuar edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, kemi mbrojtur rendin kushtetues e interesin shtetëror, si dhe një vit në të cilin kemi vazhduar punën për t’i forcuar aleancat tona me partnerët tanë strategjikë. Kosova ka treguar se është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në tryezat ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie.

Kosova qëndroi e palëkundur ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese, ndërsa brenda vendit vazhdon të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, ku të drejtat e njeriut, barazia dhe dinjiteti janë themeli ynë i përbashkët.

Sot, Kosova përmbylli një vit jo të lehtë, por një vit në të cilin zëri i saj u dëgjua fuqishëm dhe qëndrimi ynë në arenën ndërkombëtare ishte parimor dhe i palëkundur. Ishte një vit sfidues, sidomos me vonesat në themelimin e institucioneve, por ishte poashtu vit që na ka forcuar dhe na ka përgatitur të ecim përpara me më shumë besim dhe me më shumë përgjegjësi.

Ishte gjithashtu vit ku u dëshmua forca e demokracisë dhe e qytetarëve tanë: e punëtorëve, policëve e ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, të rinjve plot ide inovative, grave e vajzave tona të jashtëzakonshme, si dhe e mërgatës sonë, e cila vazhdon të jetë një shtyllë e pazëvendësueshme e zhvillimit dhe përfaqësimit të Kosovës në botë.

Viti 2026 që po vjen na gjen me përgjegjësi të reja dhe me synime të qarta. Synimi ynë mbetet një Kosovë akoma më e sigurt, akoma më e drejtë, akoma më e integruar dhe akoma më e zhvilluar. Një Kosovë ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku institucionet janë gjithnjë në shërbim të qytetarëve dhe ku çdo i ri dhe e re ka perspektivë për të ndërtuar të ardhmen me dinjitet në vendin e vet.

Në Vitin e Ri, angazhimi ynë do të vazhdojë pa lëkundje për forcimin e vazhdueshëm të shtetit të së drejtës, avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, rritjen e sigurisë, mbështetjen e familjeve, mbështetjen e rinisë, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje me më shumë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.

Në këtë natë të veçantë, ju uroj shëndet, paqe dhe begati. Le të jetë viti 2026 një vit bashkëpunimi, përgjegjësie dhe suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën tonë.

Le ta nisim vitin e ri me besim në vete, në njëri-tjetrin dhe në Kosovën tonë.

Gëzuar Vitin e Ri 2026 me shëndet e plot momente gëzimi e feste, për ju dhe për Republikën e Kosovës!

Të ngajshme

Hamza uron qytetarët për Vitin e Ri: Besoj te një e ardhme më e mirë për secilin

Donat Hashani

Bora paralizon rrugët në Poloni, kolona të veturave deri në 20 km

Valjeta Turkaj

Lladrovci uron Tahirin: Yll në ardhje i PDK-së, Kosova le të jetë zemra jote

Valjeta Turkaj