Qyteti më i ftohtë në botë: Shtëpitë nuk kanë tualete, por kanë nga tre dyer – ja si jetohet në -71°C
Në Jakutsk, ajri të djeg si akulli, vetura nuk guxon të fiket natën dhe toka nuk shkrin kurrë. Megjithatë, mbi 350 mijë njerëz jetojnë aty çdo ditë
Kur te ne temperaturat zbresin nën zero, shumëkush mezi del nga shtëpia. Por këto ditë duken pothuajse pranverore krahasuar me atë që përjetojnë banorët e Jakutskut, qytetit më të ftohtë në botë. Ky qytet rus, që ndodhet rreth 450 kilometra në jug të Rrethit Arktik, përjeton rregullisht temperatura prej -45°C, ndërsa mesatarja e janarit shkon rreth -50°C. Rekordi absolut i të ftohtit, -71°C, është matur në fshatin Ojmjakon, i cili konsiderohet vendi i banuar më i ftohtë në planet.
Në këtë klimë ekstreme, ajri është aq i ftohtë sa të mpin lëkurën brenda pak minutash. Frymëmarrja bëhet e dhimbshme, qerpikët ngrijnë, ndërsa metali të “djeg” po ta prekësh me dorë të zhveshur. Ngrirjet janë rrezik i përditshëm dhe njerëzit dalin nga shtëpia vetëm të mbështjellë me disa shtresa rrobash speciale. Edhe pështyma ngrin para se të prekë tokën.
Jakutsku është ndërtuar mbi permafrost, tokë që nuk shkrin kurrë, as në verë. Për këtë arsye, ndërtesat nuk ndërtohen drejtpërdrejt mbi tokë, por mbi shtylla, që nxehtësia e tyre të mos e shkrijë dhe destabilizojë bazamentin. Tubat e ujit dhe kanalizimit janë të izoluar në mënyrë ekstreme ose vendosen mbi tokë. Në disa zona, sidomos në fshatra si Ojmjakoni, nuk ka fare kanalizim, sepse tubat do të ngrinin, prandaj tualetet ndodhen jashtë shtëpisë edhe kur jashtë është -50°C.
Për të mos lejuar që ajri polar të hyjë drejtpërdrejt brenda, shumë shtëpi dhe ndërtesa kanë dy ose edhe tre dyer njëra pas tjetrës, si një zonë tampon që ruan nxehtësinë. Shkallët e jashtme shpesh mbulohen me goma ose tapete, sepse gjithçka është vazhdimisht e ngrirë dhe rrëshqitëse, transmeton Telegrafi.
Edhe makinat këtu ‘jetojnë’ ndryshe. Ata që nuk kanë garazhe të ngrohura, i lënë motorët ndezur gjithë natën, sepse në të kundërt, në mëngjes nuk do të mund t’i ndezin më. Nafta dhe vaji i motorit ngurtësohen nga të ftohtit. Edhe telefonat dhe kamerat ngrijnë dhe fiken pas pak minutash jashtë.
Në tregje, peshqit shiten të ngrirë, të drejtë si shkopinj druri. Prerja bëhet me sëpatë ose sharrë, jo me thikë. Ushqimi ruhet natyrshëm në të ftohtë, pa frigorifer. Paradoksi është se gjatë verës, kur temperaturat mund të ngjiten edhe mbi 30°C, qyteti përballet me shumë mushkonja, sepse ndodhet pranë lumit Lena ka shumë ujëra të ndenjura edhe pse toka poshtë mbetet gjithmonë e ngrirë.
Jakutsku ka rreth 355 mijë banorë, të cilët merren kryesisht me blegtori, peshkim dhe industri minerare. Në reportazhe, shumë prej tyre thonë se trupi dhe mendja thjesht mësohen me këtë klimë. “Për ne, kjo është normale”, thonë. Fëmijët zakonisht shkojnë në shkollë edhe në -40°C; mësimi anulohet vetëm kur temperatura bie nën -50°C.
Në këtë qytet, syzet mund të ngjiten në fytyrë po t’i prekësh me dorë të zhveshur, metali të djeg nga të ftohtit njësoj si zjarri, ndërsa në varreza hapja e një varri është pothuajse e pamundur, sepse toka është e fortë si betoni.
Jakutsku nuk është thjesht qyteti më i ftohtë në botë. Ai është dëshmi e jashtëzakonshme se deri ku mund të shkojë përshtatja e njeriut dhe se edhe në kushtet më ekstreme të planetit, jeta gjen mënyrën për të vazhduar.

