Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë sot se ndihet thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Donald Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.
Osmani në një postim në Facebook ka publikuar letrën e presidentit Donald Trump lidhur me festën që Kosova të jetë në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.
Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike.
Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, shkruan Osmani.
Por, çka është Bordi i Paqes?
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kontaktuar figura të ndryshme anembanë botës për t’u bërë pjesë e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” dhe në entitete të lidhura me të, të cilat synojnë të mbikëqyrin qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.
Shtëpia e Bardhë tha se do të ketë një bord kryesor, të kryesuar nga vetë Trump, një komitet palestinez teknokratësh, të cilët synojnë të qeverisin territorin e shkatërruar nga lufta, dhe një “bord ekzekutiv” të dytë që duket se është projektuar të ketë një rol më këshillues.

