Më 17 shkurt, përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë do të mbahet një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në Hagë.
Protesta organizohet nga platforma “Liria ka emër”, ndërsa në kohën kur në Hagë pritet të jepen fjalët përfundimtare, qytetarët do të dalin në rrugët e kryeqytetit.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se protesta do të jetë paqësore.
“Në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt, nën udhëheqjen e shpallësit të saj Hashim Thaçi, e paralajmëroj një protestë paqësore për drejtësi në Prishtinë, sepse pikërisht tani, ku pas më shumë se pesë vitesh procesi në Hagë ka hyrë në fazën përmbyllëse, është momenti të ngritet zëri qytetar në mbrojtje të çlirimtarëve dhe vetë parimit të drejtësisë. Prandaj këtu jemi për të njoftuar për këtë protestë dhe për të shpjeguar pse është bërë e domosdoshme”, ka thënë Tasholli.
Ai ka nënvizuar shqetësimet që lidhen me zvarritjen e procesit dhe rrjedhjen e dokumenteve nga Serbia gjatë viteve.
“Procesi në Hagë është krijuar për të sjellë drejtësi, por me kalimin e viteve në opinionin publik është krijuar perceptim i mjegullt, proces i zvarritur, procedura të ndërlikuara, informacione kontradiktore, ndikim i diskursit politik dhe një ndjenjë se drejtësia po humb fokusin e saj juridik. Gjykata u krijua në rrethana të jashtëzakonshme politike, vet origjina e saj ka prodhuar debat publik. A është kjo drejtësi e pastër, apo e ndikuar nga rrethanat politike? Kjo pyetje nuk është propagandë e as retorikë, por është shqetësim real qytetar. Qytetarët kanë parë ndër vitet rrjedhjen e dokumenteve që vijnë nga Serbia, ankesa për të drejtat e mbrojtjes, zvarritje të proceseve, mungesë komunikimi të qartë me opinionin publik dhe një diskurs ku politika shpesh flet më shumë se ligji”, ka shtuar Tasholli.
Ndërsa Eliza Hoxha ka bërë të qartë mesazhin e këtij marshimi dhe proteste paqësore, duke theksuar se kërkohet një gjykim i drejtë dhe drejtësi pa presion e pa ndikim në prova.
“Është e rëndësishme të theksojmë se nuk marshojmë as nuk protestojmë kundër drejtësisë; thjesht ne protestojmë dhe kërkojmë drejtësi reale. Protestojmë sepse nuk duam standarde të dyfishta. Nuk duam procese të pafundme, nuk duam gjykime që duken të porositura, nuk duam drejtësi selektive. Ne kërkojmë verdikt juridik dhe jo politik. Kërkojmë vendime të bazuara në prova dhe jo në agjenda. Mesazhi ynë është i qartë sepse kërkojmë drejtësi pa presion, pa ndikim, pa skenar. Drejtësi për të gjithë. Kërkojmë që procesi në fund të mbyllet me vendim ligjor që respekton parimin e gjykimit të drejtë dhe mos të mbetet peng i politikës. Prandaj, më 17 shkurt, ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni në marshim dhe protestë paqësore dhe dinjitoze me mesazhin tonë të qartë”, ka thënë Hoxha.

