Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje për të shitur degën amerikane të TikTok një konsorciumi investitorësh kryesisht amerikanë të udhëhequr nga Oracle dhe Silver Lake. Marrëveshja raportohet se do të finalizohet këtë javë.
Si rezultat i marrëveshjes, kompania kineze ByteDance do të mbajë vetëm 20% të aksioneve në degë, ndërsa Oracle, Silver Lake dhe MGX me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbajnë secila nga 15%. Investitorë të tjerë përfshijnë Susquehanna, Dragoneer, DFO dhe zyrën familjare të kryetarit të Dell-it, Michael Dell.
22 janari shënon datën e mbylljes për shitjen e degës amerikane të TikTok te një grup investitorësh amerikanë. Sipas mediave kineze, ndërmarrja e re e përbashkët e platformës së mediave sociale do të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave dhe moderimin e përmbajtjes mediatike.
Sipas firmës analitike Sensor Tower, TikTok u bë aplikacioni më i shkarkuar në SHBA në vitet 2021 dhe 2022. TikTok-u aktualisht përdoret nga afërsisht 170 milionë amerikanë, që përfaqësojnë afërsisht gjysmën e popullsisë së vendit.
Në shtator 2025, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të miratuar marrëveshjen që i vendos operacionet e rrjetit social kinez në SHBA nën kontrollin e bizneseve amerikane. Dokumenti, i publikuar nga Shtëpia e Bardhë në faqen e saj të Internetit, thotë se “aplikacioni amerikan i TikTok do të operohet nga një kompani e re e përbashkët me seli në Shtetet e Bashkuara”. Kompania do të “operohet në SHBA nga një bord drejtorësh me kredenciale të sigurisë kombëtare dhe sigurisë kibernetike dhe do t’i nënshtrohet rregullave të rrepta për të mbrojtur të dhënat e amerikanëve dhe sigurinë tonë kombëtare”.

