Rinumërimi në gjithë vendin po nxjerrë në pah manipulimet në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Shumë kandidatë po humbin vota, si rezultat i verifikimit të secilit vendvotim, ndërsa të tjerëve po iu shtohen votat që dyshohet se iu ‘zhdukën’.
Kandidati që deri më tash ka marrë më së shumti vota plus është Arian Tahiri i PDK-së, raporton Klankosova.tv
Tahirit deri më tash kur janë rinumëruar mbi 50% e vendvotimeve, i janë shtuar 873 vota.
Ndërsa kandidati, të cilit i janë hequr numër i madh votash është Fetah Paçarizi i kësaj partie.
Për gjithë skandalin me manipulime votash, vet lideri i këtij subjekti politik, Bedri Hamza, në ‘Rubikon’ në Klan Kosova, u tregua goxha i ashpër me bashkëpartiakët e tij dhe theksoi se nëse faktohet vjedhja e votave brenda partisë, si akt moral, kandidatët për deputetë nuk duhet ta pranojnë mandatin.
“Ti mundesh me i pasë 50 mijë vota, 100 mijë vota, por nëse të janë shtuar votat, konstatohet edhe faktohet se ti je pjesë e saj, nuk mund të thuash ti se unë edhe pa këto vota bëhem deputet”, deklaroi Hamza në Klan Kosova. /Klankosova.tv


