Telenews

The Guardian: Ndotja e grimcave në Ballkan, më e larta në Evropë

Kur mendojmë për qytetet më të ndotura të botës, shpesh kujtojmë Delhi ose Pekin. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se problematika e ndotjes është po aq e madhe edhe pranë Evropës, veçanërisht në Ballkan, raporton The Guardian.

Prof. André Prevost nga Instituti Paul Scherer (PSI) në Zvicër shpjegoi: “Gjatë dimrit, ndotja nga grimcat në Ballkan është më e larta në Evropë. Nivelet e ndotjes shpesh tejkalojnë ato të Pekinit dhe disa ditë arrijnë të jenë ndër më të lartat në botë. Dioksidi i squfurit gjatë dimrit mund të jetë deri 30 herë më i lartë se norma e zakonshme në Evropën Perëndimore.”

Për të marrë një pasqyrë më të saktë, ekipi i PSI-së përdori sensorë modernë në një furgon të modifikuar, duke bërë xhiro 90-minutëshe rreth Sarajevës. Gjatë disa ditëve, ekipi realizoi deri në gjashtë xhiro në ditë. Michael Bauer nga PSI tha: “Një sfidë e madhe ishte lëvizja në trafik dhe rrugët e ngushta të kodrave. Disa mbrëmje ajri ishte i mbushur me mjegull, tym druri, qymyr dhe aromë nga gatimet e qytetit, veçanërisht qebapët.”

Rezultatet treguan se ndotja shpesh tejkalonte udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në 66% të rasteve dhe në disa zona ishte mbi tetë herë më e lartë. Zonat më të prekura ishin ato të banimit, ku ngrohja me dru, qymyr dhe mbeturina kontribuonte dukshëm, duke përfshirë edhe përbërës kancerogjenë si hidrokarburet aromatike policiklike, transmeton albinfo.ch.

Një studim i OKB-së në 2023 sugjeroi përmirësimin e izolimit të shtëpive, vendosjen e ngrohjes qendrore dhe pompave të nxehtësisë, inspektimet e kaldajave dhe informimin publik, duke identifikuar nëntë zona prioritare në qytet. Bauer theksoi: “Planet për të ulur ngrohjen me lëndë djegëse të ngurta deri në 90% në këto zona deri në 2033 janë të domosdoshme. Megjithatë, burime të tjera të ndihmës nuk duhet të injorohen.”

Problemet i thellon edhe flota e vjetër e automjeteve: makina mesatare në Sarajevë është 19-vjeçare, dhe vetëm 10% e tyre përputhen me standardet moderne evropiane të emetimeve. Krahasimisht, në Mbretërinë e Bashkuar makina mesatare në 2024 ishte 10-vjeçare.

Ndërkohë, Maqedonia është një nga vendet më të ndotura në botë. Ndërsa Europa po ecën drejt neutralitetit të karbonit deri në 2050, vendi ende përballet me sfida bazë: matjen e ndotjes dhe kontrollin e emetimeve industriale. Strategjitë ekzistojnë në letër, por zbatimi mbetet i ngadaltë, veçanërisht në zonat industriale ku teknologjia është e vjetruar.

Vlerësohet se rreth 3,500 persona vdesin para kohe çdo vit në Maqedoni për shkak të grimcave në ajër.

Të ngajshme

KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2025

Valjeta Turkaj

Traget i fundosur në Filipine, 15 të vdekur dhe 316 të shpëtuar

Valjeta Turkaj

Nga ora 12:00 bllokohet rruga nga Rozhaja në drejtim të pikës kufitare në Kullë

Valjeta Turkaj