Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar gatishmërinë për një bashkëpunim me opozitën, duke theksuar se muajin shkurt do të jetë kyç për të parë nëse ka mundësi për një raport të ri Qeveri-Opozitë.
Ai shtoi se populli ka dhënë një mbështetje të madhe për formimin e qeverisë dhe se ka nevojë për bashkëpunim me opozitën për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare dhe për të zgjedhur presidentin.
“Unë besoj që në raport me opozitën, te marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe te konstituimi i Kuvendit, do të shohim se a po ia fillojmë një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025 që sapo e kaluam. Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, tha Kurti.
Kurti po ashtu theksoi se komunikimi me presidenten është në vazhdim, ndërsa procesi i zgjedhjes së presidentit do të vijë pasi të kalohen disa hapa të tjerë, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

