Afati kalimtar i fundit i Juventusit po kthehet në një problem serioz për drejtuesit bardhezinj, me dy emra që simbolizojnë zhgënjimin: Edon Zhegrova dhe Lois Openda.
Investimet e konsiderueshme për ta nuk kanë sjellë ndikimin e pritur, duke vënë në pikëpyetje zgjedhjet e Damien Comollit, shkruan Gazetta dello Sport.
Në repartin ofensiv, Juventusi dështoi të realizojë objektivat kryesore: largimin e Dusan Vlahovic dhe rikthimin e Randal Kolo Muanit. Në ditët e fundit të afatit kalimtar, drejtuesit u orientuan drejt Opendës, për një marrëveshje rreth 44 milionë euro.
Megjithatë, sulmuesi belg nuk arriti të fitojë statusin e titullarit as te Igor Tudor e as më pas në planet e Luciano Spallettit.
Ai është përdorur më shumë si zëvendësues, pa arritur të bëjë diferencën që pritej nga një investim i tillë.
Edon Zhegrova u afrua në ditën e fundit të afatit veror, por kontributi i tij ka qenë minimal. Juventusi pagoi te Lille plot 15.5 milionë euro.
Fillimisht ndoqi një program individual për të rritur gatishmërinë fizike, por kur pritej të bënte hapin cilësor, ai nuk arriti të futej në ritmin e skuadrës.
Minutat e pakta dhe mungesa e ndikimit konkret e kanë kthyer transferimin e tij në një pikëpyetje të madhe, sidomos duke parë pritshmëritë që shoqëruan afrimin e tij.
Zgjedhjet tashmë po analizohen me “llupë”. Rasti i Opendës në sulm dhe stagnimi i Zhegrovës në krahë rrezikojnë të rëndojnë pozitën e Comollit, i cili menaxhoi një pjesë të madhe të operacioneve me një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh.
Nëse Juventusi dështon në objektivat sezonalë, këto dy lëvizje mund të përmenden si shembujt më të qartë të një afati kalimtar që deri tani ka prodhuar më shumë pikëpyetje sesa zgjidhje.

