Është arrestuar një person i dyshuar për vjedhjen e rëndë që kishte ndodhur në muajin janar në një argjendari në qendër të Prishtinës.
Bëhet fjalë për Xhafer Vllahiun, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në vjedhjen që kishte ndodhur mes datave 18 dhe 19 janar 2026, në rrugën “Agim Ramadani”, në argjendarinë “OXA GOLD”.
Sipas informacioneve të raportuara ekskluzivisht nga Sinjali, persona të panjohur kishin depërtuar me forcë brenda objektit, duke marrë para të gatshme dhe stoli ari me vlerë të konsiderueshme.
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga njësitet përkatëse në koordinim me Prokurorinë, është arritur të identifikohet një nga të dyshuarit, i cili më 30 mars 2026 është lokalizuar dhe arrestuar pas zbatimit të një plani taktik policor.
Gjatë operacionit janë kryer edhe dy bastisje, një në Prishtinë dhe një në një fshat të komunës së Podujevës.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar një veturë e tipit BMW X6, që dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe një armë zjarri e tipit “Ekol Tuna”.

